E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të parandalosh është më mirë se të kurosh

Zëra femëror

“Lashë punën, sepse nuk e duroja dot më eprorin tim. Më bënte shumë shpesh dhurata, më propozonte ngritje në detyrë... Nuk di çfarë të bëj. Shefi im më ngacmon seksualisht”. Këto janë disa nga ndodhitë tashmë të njohura në punësimin privat dhe për fat të keq edhe në administratën shtetërore. Tashmë është i njohur fakti shqetësues që kudo dhe në pjesën më të madhe të rasteve, femrat nuk shihen si krah pune, si fuqi intelektuale, apo si figura njerëzore me personalitet, por thjesht si trupa fizikë me forma mishtore. Ky fenomen ndodh gjatë kërkimit të një vendi të ri pune, e më pas gjatë zhvillimit të procesit të punës ku ne femrave shpeshherë na bie të përballemi me paragjykimin e meshkujve kolegë e eprorë, të cilët na shohin vetëm si kukulla, e mund të na frikësojnë me një të ngritur të zërit, apo me një formë tjetër presioni. Edhe pse është folur shumë për këtë temë shqetësuese, ende nuk është arritur eliminimi i problemit. Të gjendura përballë një fakti të tillë shqetësues, ku shohim se nuk mjafton një fushatë e rastësishme mediatike për të rregulluar marrëdhënien mes femrave dhe meshkujve në punë, atëherë besoj se na mbetet vetë ne femrave të ndryshojmë mikrokozmosin mashkullor që na rrethon. Dhe kjo detyrë e rëndësishme duhet të fillojë pikërisht nga vetja jonë. “Të parandalosh është më mirë se të kurosh”, kjo është një ndër shprehjet thelbësore në gjuhën e mjekësisë. Nisur nga kjo, duhet të jemi ne të parat që të parandalojmë revanshet mashkullore, duke nisur që nga dita e parë e fillimit të punës, ditë kur duhet ta konsiderojmë veten të barabartë me meshkujt, e të mos e shohim veten “seksi i dobët”, thjesht si femra me funde e me taka të larta. Duhet të jemi më të drejta dhe më të vërteta në kërkesat tona për barazi gjinore, duke mos pretenduar gjatë procesit të punës, përfitimin e favoreve vetëm e vetëm pse jemi femra. Në këtë proces ndërgjegjësimi, rol kryesor përveç sjelljes luan edhe veshja jonë. Herë-herë harrojmë se vendi i punës nuk është paradë mode dhe kështu shpalosim atje të gjitha kombinimet e mundshme të gardërobës sonë shumëngjyrëshe. Duke harruar kështu se me veshjet provokuese tepër të ngjitura pas trupit, me jaka tepër të hapura dhe me funde të shkurtra, nuk bëjmë gjë tjetër veçse forcojmë idenë se jemi femra dhe të tjerëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të na shohin si të tilla. Kjo kurrsesi nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga “feminiliteti” në veshje, por me pak kujdes mund të arrijmë të zgjedhim modele tepër të këndshme brenda kostumeve zyrtare, pa pasur nevojë të zbulojmë gjoksin apo pjesë të tjera tunduese. E në vazhdën e këtij procesi, ku duhet ta shohim veten si të barabarta me meshkujt, ne e dimë shumë mirë sesa lehtësisht tundohen ata. Atëherë përse të mos ua presim këtë rrugë? Duke filluar nga sjellja jonë zyrtare: pa e holluar zërin ndërsa flasim për diskutime pune, pa i kërcitur takat në mënyrë provokuese eprorit tonë, pa ekzagjeruar me gjeste epshndjellëse, si ledhatimi i flokëve apo i pjesëve trupore. Një tjetër hallkë e këtij procesi është refuzimi i dhuratave, i lehtësirave, e favoreve të tjera, që vijnë nga eprorët, veprime që shpesh i justifikojmë me arsye të ndryshme, duke e fshehur në mënyrë të pandërgjegjshme e mendjelehtë qëllimin e mbrapshtë e të vërtetë të tyre. E pikërisht pranimi dhe moskundërshtimi i favoreve të tepruara nuk bën gjë tjetër veçse sjell hapin e sigurt, atë të “ngacmimit seksual”, ku eprori pa u menduar dy herë na kërkon të “shëtisim nga krevati i tij zyrtar”. Të trembura nga rreziku i humbjes së vendit të punës, një pjesë e femrave shpeshherë zgjedhin rrugën e lehtë, atë të nënshtrimit, duke harruar që kjo rrugë thellon më tej hendekun e barazisë që duam të arrijmë, duke lejuar përsëri që meshkujt të na shohin me vështrimin nga lart-poshtë. Ndërkohë që përballë kësaj alternative gjendet rruga tjetër, ajo e mospranimit, e kundërshtimit, e ngritjes krye. “çdo diskriminim, ngacmim apo shqetësim seksual në vendin e punës nga punëdhënësi ose punëmarrësi është i ndaluar” – këto fjalë të cituara nga ligji për “Barazinë gjinore në vendin tonë” duhet të jenë A-ja e rregullores zyrtare të secilës nga ne. Kështu, sigurimi i fakteve të një ngacmimi seksual është mjeti më i mirë i kundërshtimit ndaj revanshit të eprorit. Rrugë që padyshim kërkon edhe sakrifica, sepse në një pjesë të rasteve do të ketë humbës, por duhet të kuptojmë që më mirë të humbasim disa vende pune sot dhe të largohemi krenarë, sesa të mbajmë një vend pune duke u nënshtruar dhe duke krijuar bazat e një të keqeje më të madhe, atë të ndërtimit të një modeli varësie e dorëzimi të turpshëm. Nëse vërtet duam të jemi të barabarta me meshkujt, atëherë nuk duhet të nënshtrohemi, por duhet të luftojmë me zgjuarsi, me forcë dhe kurajë për të forcuar vendin tonë në shoqëri, por edhe për t’u ngjitur më lart në rrugën e përparimit njerëzor.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›