E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, nën hetim gjinekologu dhe infermieri

Gjykata vendos masë shtrënguese ndaj Janaq Kasapit, mjek te “Koço Glozheni”. Dyshohet se mori 50 mijë lekë për një lindje

Një kirurg gjinekolog dhe një infermier në maternitetin “Koço Glozheni” në Tiranë janë vënë në hetim nga njësia Task Forcë në Tiranë, nën akuzën e korrupsionit pasiv, pasi dyshohen se kanë marrë ryshfet 50 mijë lekë. Gjykata e Tiranës ka vendosur dje masën shtrënguese “garanci pasurore” ndaj mjekut Janaq Kasapi dhe infermierit, ndërsa ka rrëzuar kërkesën e organit të akuzës për pezullimin e tyre nga detyra. Në kërkesën e prokurorisë, drejtuar gjykatës për masë shtrënguese, thuhej se dy punonjësit e maternitetit janë vënë në hetim dy muaj më parë, pas një materiali referues nga Policia e Shtetit. Nga hetimet ka rezultuar se mjeku dhe infermieri kanë marrë ryshfetin pas ndërhyrjes kirurgjikale gjatë një lindjeje.

Kërkesa në gjykatë
Mëngjesin e djeshëm, një prokuror pranë njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës është paraqitur në gjykatë, duke kërkuar pezullimin e mjekut Janaq Kasapi, si dhe një garanci pasurore, me qëllim që të paraqitej në organin e akuzës sa herë të thirrej. Kërkesës i janë bashkëngjitur hetimet dymujore të njësisë së Task Forcës, ku dyshohej se mjeku kishte marrë një ryshfet së bashku me infermierin. Materiali është verifikuar nga gjykata, e cila ka dëgjuar pretendimet e avokatit që mbronte interesat e dy të hetuarve, mjekut dhe infermierit. Pas verifikimeve paraprake, togat e zeza kanë rrëzuar kërkesën e organit të akuzës për “pezullim nga detyra”, ndërsa kanë vendosur ndaj mjekut Janaq Kasapi një garanci pasurore, e cila është rreth 500 mijë lekë. Burime nga gjykata deklarojnë për gazetën “Shqip” se masa shtrënguese është vendosur, duke parë parrezikshmërinë shoqërore të mjekut dhe infermierit, si dhe arsimimin e tyre. Pra, gjykata ka kërkuar vetëm vendosjen e një garancie pasurore, duke lejuar organin e akuzës të kryejë hetime ndaj tyre në gjendje të lirë.

Dosja e “mjekëve”

Njësia Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka filluar hetimet për këtë çështje dy muaj më parë dhe gjatë kësaj kohe janë përdorur të gjitha mjetet për marrjen e fakteve kriminale, që nga vëzhgimi dhe përgjimi. Dy të dyshuarit janë mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e policisë dhe pas dy muajve hetime, drejtuesit e akuzës së kryeqytetit janë bindur se për këtë çështje ka vepër penale. Ata i janë drejtuar gjykatës, që vendosi ndaj dy punonjësve të maternitetit vetëm masën shtrënguese “garanci pasurore”. Sipas akuzës qendrore, në shumicën e rasteve gjykata ka “rrëzuar” organin e prokurorisë për dosjet ndaj mjekëve. Në disa raste mjekët kanë marrë pafajësi në gjykatë për akuzat e korrupsionit pasiv, pasi është cilësuar se ryshfeti është dhënë në mënyrë vullnetare nga të afërmit e pacientëve. Ndërsa në disa raste të tjera gjykata ka rrëzuar provat e organit të akuzës, duke dhënë dënime “qesharake” ndaj tyre. Shumica e mjekëve të hetuar pretendojnë se ryshfeti u është dhënë vullnetarisht dhe pa dijeninë e tyre, ndërsa të tjerë pretendojnë se të hollat u “janë futur në xhep pa dijeninë e tyre”. Duket se kjo “frymë” në gjykatë ka ulur në minimum përkushtimin e hetuesve për të goditur korrupsionin në shëndetësi, ndërsa për rastin e fundit organi i akuzës nuk ka kërkuar masën drastike të sigurisë, atë të “arrestit me burg”, por një masë akoma më të lehtë, atë të “pezullimit nga detyra”. Edhe kjo masë është rrëzuar nga togat e zeza, të cilat janë mjaftuar vetëm me një garanci pasurore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›