E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Burg përjetë për Lul Berishën e Doklen, 10 vjet për Colin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 11-10-2011 10:52

Tiranë Mes batutash dhe replikash, Prokuroria arriti të lexojë konkluzionet përfundimtare ndaj 16 të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Dy prokurorët kërkuan katër burgime të përjetshme dhe 267 vite burg për të pandehurit, të cilët akuzohen për një sërë krimesh të rënda, të ndodhura gjatë viteve 1998-2005 në Tiranë dhe Durrës. Prokuroria kërkoi dënimin maksimal për Lulzim Berishën, i cilësuar si kreu i njërit prej grupeve rivale të “Bandës së Durrësit”. Po ashtu, burgim të përjetshëm dy prokurorët kërkuan për Plaurent Dervishajn, i cili gjykohet në mungesë, Indrit Taullain dhe Endrit Doklen. E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për të penduarin Adriatik Coli, i cili përfitoi ulje të konsiderueshme dënimi për shkak të marrëveshjes së bashkëpunimit, që ka lidhur me Prokurorinë për Krime të Rënda. Edhe pse, sipas prokurorisë, Coli u evidentua si bashkëpunëtor në të gjitha krimet e kryera nga dy grupimet e “Bandës së Durrësit” dhe u cilësua si një nga të pandehurit me më shumë krime në këtë proces, në përfundim akuza kërkoi dënimin e tij me 10 vjet heqje lirie. Seanca e djeshme, e konsideruar si një nga më të rëndësishmet në procesin e nisur katër vite të shkuara në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nisi rreth orës 9:00 të mëngjesit të djeshëm, për të vazhduar deri në orën 15:30 të mesditës së djeshme. Për më shumë se gjashtë orë, përfaqësuesi i akuzës, Anton Martini, lexoi rreth 300 faqe material, ku detajoheshin të gjitha ngjarjet kriminale, për të cilët akuzohen të pandehurit e këtij procesi. Seanca maratonë nuk ka kaluar pa batuta dhe hera-herës debate mes të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës, të cilët kanë kontestuar gati sistematikisht një pjesë të mirë të ngjarjeve të lexuara nga prokurori në formën e akuzave ndaj të pandehurve. Thuajse pas çdo fakti të lexuar nga prokurori, i pandehuri Endrit Dokle e pasonte me një batutë, duke reaguar pas çdo pjesë ku përmendeshin krime apo episode të caktuara që lidheshin drejtpërdrejt me të. Replikat mes të pandehurve dhe prokurorit nisën që në fillim të seancës, ku pas një pushimi të shkurtër për mungesën e njërit prej avokatëve, seanca u ndërpre për disa minuta, për të rifilluar me leximin e pretencës. Që në fillim, kur prokurori nisi të flasë për krijimin e “Bandës së Durrësit” në fillim të vitit 1998, pas njohjes së Klodian Saliut dhe Lulzim Berishës, i pandehuri kundërshtoi disa herë, madje kërkoi nga përfaqësuesi i akuzës të lexojë me detaje çdo fjalë të shkruar në pretencën voluminoze. “Duhet ta lexosh të gjithën. Ne këtu jemi, kemi kohë. Deri në orën katër këtu jemi”- tha Lulzim Berisha, duke kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës të mos anashkalojë pjesë të dëshmisë së Adriatik Colit, i cili është i penduar në këtë proces. Kulmi i tensionit arriti kur përfaqësuesi i akuzës citoi një episod lidhur me një vrasje, ku ishin gjetur gjurmët e gishtave të Klodian Saliut, i cili sipas prokurorisë ka qenë shok dhe më pas rival i Lulzim Berishës. Prokurori tha se Saliu është shpallur i pafajshëm nga Gjykata për këtë vrasje, por këtu kanë reaguar të gjithë të pandehurit, të cilët kanë kërkuar që prokurori të tregojë më tepër respekt për gjyqësorin. Duke iu drejtuar kreut të trupit gjykues, një prej të pandehurve tha se prokurori duhet të jetë më i kujdesshëm kur flet për gjyqësorin. Por batutat dhe reagimet e të pandehurve nuk kanë përfunduar me kaq, pasi në episodin e vrasjes së Avni Gashit, ngjarje për të cilën akuzohet Sardian Sulejmani dhe Endrit Dokle. Pasi tregoi skemën e krimit, prokurori tha se të pandehurit kanë futur viktimën në bagazhin e automjetit dhe më pas kanë ndaluar në një restorant në autostradën Tiranë-Durrës, për të ngrënë. Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë i pandehuri Dokle, i cili ka thënë: “Ua shpife fare këtyre, me këto që po thua”. Batutat kanë vazhduar edhe gjatë kërkesës për masën e dënimit nga ana e prokurorisë, ku herë pas herë të pandehurit kanë kërkuar pak qetësi për të marrë vesh masën e dënimit për shokët e tyre. Gjatë pretencës nuk kanë munguar as batutat mes dy të pandehurve kryesorë, Lulzim Berisha dhe Endrit Dokle, të cilat kanë komentuar episode të caktuara të ngjarjeve për të cilat akuzohen.

Avokatët: Prokurori lexoi deklarime false

Pas përfundimit të pretencës reaguan edhe avokatët e të pandehurve. Arben Qeleshi tha se përfaqësuesi i akuzës lexoi para gjykatës procesverbale deklarimesh të falsifikuara në zyrat e prokurorisë dhe jo dëshmitë e dhëna para kësaj gjykate. Po ashtu, reaguan edhe avokatët e tjerë, të cilët kërkuan më tepër kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare me shkrim në mbrojtje të të pandehurve që ata përfaqësojnë. Por pavarësisht kërkesave të avokatëve, kreu i trupit gjykues u la në dispozicion avokatëve vetëm tri ditë kohë, duke caktuar seancën e ardhshme pas tri ditësh.

Pretenca e Prokurorisë

Lulzim Berisha burgim të përjetshëm

Plaurent Dervishaj burgim të përjetshëm

Indrit Taullai burgim të përjetshëm

Endrit Dokle burim të përjetshëm

Dritan (Adriatik) Coli 10 vjet burgim

Sardjan Sulejmani 25 vjet burgim

Kujtim Buna 25 vjet burgim

Altin Olloni 25 vjet burgim

Elvin Hoxhosmani 25 vjet burgim

Alban Neli 25 vjet burgim

Selman Heti 25 vjet burgim

Spartak Kalthi 25 vjet burgim

Altin Nikolla 20 vjet burgim

Kristian Begu 20 vjet burgim

Ahmet Ajeti 21 vjet burgim

Osman Karpuzi 21 vjet burgim

Akuzat për të gjithë të pandehurit

Krijim të organizatës kriminale

Pjesëmarrje në organizatë kriminale

Vrasje me paramendim në bashkëpunim të Dritan Sallakut

Vrasje me paramendim ngelur në tentativë të Marsel Sotirit

Vrasje me paramendim në bashkëpunim të Eduart Ongari

Vrasje me paramendim në bashkëpunim të Marsel Sotirit

Vrasje me dashje ngelur në tentativë të Ilir Nelajt

Vrasje me dashje ngelur në tentativë të Agim Rexhepit

Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim të Viron Currit

Vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim të Arjan Pajës

Vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim të Dritan Dishës

Vrasje me paramendim në bashkëpunim të Erion Lames

Vrasje me paramendim ngelur në tentativë ndaj Lulzim Berishës

Vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim të Avni Gashit

Vrasje me dashje të Ilir Koldashit

Rrëmbim ose mbajtja peng e personit

Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake

Moskallëzim krimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›