E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durresit, i burgosuri drejtonte trafikun nga qelia

TIRANE-Endrit Dokle, i akuzuar si “shefi” i njërit prej dy fraksioneve të ‘Bandës së Durrësit’, drejtonte trafikun e drogës nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Tiranë. Të paktën kështu ka pretenduar grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Drejtorisë së Antikrimit të Organizuar të Policisë, pas përfundimit të arrestimeve të koduara “Ura”.
Në një konferencë për shtyp të zhvilluar pas arrestimeve, prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, deklaroi se grupi i koduar ‘Ura’ ka kryer trafikimin e heroinës në periudhën shtator 2008-prill 2009. Gazeta Shqiptare ben me dije sot se në konferencën për shtyp ishin edhe shefja e misionit ‘INTERFORCE’ të policisë italiane në Shqipëri, Anna Poggi, drejtori i Antikrimit të Organizuar në Polici, Edmond Rizai, si dhe prokurori i Krimeve të Rënda, Kosta Beluri. Sipas prokurorit Martini, operacioni ka filluar të premten dhe deri në agimin e të shtunës ishin arrestuar Shefqet Vata, Isuf Bunaj, Edmond Taulla, Lorik Xhunga, Behat Biba dhe Eglantina Lulo, ndërsa Endrit Dokles do i shtohet një akuzë e re në burgun e sigurisë së lartë numër 302, ku dhe ndodhet si i pandehur për pjesëmarrje në ‘Bandën e Durrësit’. “Për hetimin kanë shërbyer informacione të ardhura nga autoritetet italiane nëpërmjet ‘INTERFORCE’ dhe arrestimet janë kryer pikërisht në momentin e duhur, kur ishin konsumuar të gjitha veprimet hetimore”, - ka thënë prokurori Martini. Sipas burimeve konfidenciale, një rol të rëndësishëm në funksionimin e rrjetit e kishte edhe Endrit Dokle, i cili ndonëse në burg, gjente mundësinë që të lidhej dhe të jepte instruktime.

Nder detaje te tjera tek Gazeta Shqiptare, Prokurori Martini ka sqaruar se heroina trafikohej me rrugë tokësore, nga Shqipëria në Kosovë, mandej në Bosnjë-Hercegovinë për të kaluar në Kroaci dhe për të përfunduar në Apenine.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›