Policët në lirim ngelen pa paga, ligji i ri “bën lëmsh” llogaritjen
Mijëra policë të liruar nga reforma “Olldashi” në vitin 2006 nuk kanë marrë ende pensionet suplementare të muajit maj. Të gjithë këta policë të ngelur pa lekë përgjatë pesë muajve të fundit janë ish-drejtues të niveleve të ndryshme që në vitin 2006 vendosën të mbajnë gradat e tyre në këmbim të daljes në pension të parakohshëm. Ndonëse në lirim ata arritën të përfitonin pensione suplementare falë gradave që mbanin, por duket se ligji i ri i pensioneve suplementare ka bllokuar pagesat për ta. Që prej muajit maj policët nuk i kanë marrë rregullisht pensionet e tyre sepse ligji i ri duket se ka komplikuar përllogaritjen e pensioneve suplementare të këtyre policëve. Pikërisht këtë ligj të ri për pensionet suplementare, Sindikata e Policisë e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese duke e konsideruar si të paligjshëm. Këtë ankimim e ka kryer Avokati i Popullit për llogari të Sindikatës së Policisë. Në ankimimin e Policisë dhe të Avokatit të Popullit është kërkuar shfuqizimi i disa neneve të ligjit të ri. Gjithashtu është kërkuar pezullimi i tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar.
Ligji
Hyrja në fuqi e ligjit të ri u bë vetëm pak muaj më parë, në kundërshtim me vullnetin e gjithë punonjësve të Policisë. Madje, kur ai kaloi në Kuvendin e Shqipërisë, Sindikata e Policisë dhe drejtues të Policisë së Shtetit i bënë një ankesë presidentit për të mos e dekretuar, por fjala e tyre nuk u dëgjua. Gjithashtu, në ankimimin e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke radhitur një sërë argumentesh, deklarohet se në qershor të 2007-s, ligjvënësi, në nenet 88 dhe 89 të Ligjit Nr. 9749, datë 4. 6. 2007 "Për Policinë e Shtetit", duke marrë parasysh përgjegjësinë dhe rrezikshmërinë e lartë në detyrë, ka sanksionuar vazhdimësinë e përfitimeve të tjera shtesë sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në Ligjin Nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë se Shtetit". "Mendojmë se për këtë periudhë kaq të shkurtër s‘ka pasur asnjë ndryshim në pakësimin e shkallës së rrezikut apo të elementeve të tjera që të shërbejnë si argumente për të ndryshuar ligjet në lidhje me përfitimet suplementare", - argumentohet në ankimimin e Policisë. Specialistët kanë deklaruar më tej se në nivelin që kërkohet të jetë Policia e Shtetit, përkeqësimi i përfitimeve suplementare të punonjësve të Policisë do të ndikojë negativisht në rekrutimin e personelit me arsim të lartë apo të mesëm që kanë mbaruar shkollën me rezultate të larta.
Ndryshimet
Ligji ka filluar me aplikimin e tij, ku së pari është ndjerë pesha e rëndë ekonomike e 3000 punonjësve të Policisë që paguhen me pagë kalimtare. Ata nuk përfitojnë më asnjë pagë për shërbimin e kryer në polici, pasi shpërblimi prej 20 pagash është reduktuar në 13 paga, duke iu mohuar shtatë të tilla. Për këtë arsye, në ankimimin e kryer, një nga kërkesat më emergjente ka qenë ajo e pezullimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit. Si Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, ashtu dhe Avokati i Popullit kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ky ligj të pezullohet e më vonë të shfuqizohet. Megjithatë, ligji ka nisur efektet e tij dhe tashmë 3 mijë punonjës policie po ndiejnë problemet ekonomike. Rreth 3 vjet më parë dolën në reformë me pretendimin se do t‘u jepeshin përfitim 20 paga të plota.
29 Shtator 2009