E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Të votohet ligji për Gjykatën Administrative



Përfaqësuesit e komuniteti të biznesit kanë kërkuar dje mbështetjen e deputetëve, për të miratuar ligjin për krijimin e Gjykatës Administrative. Të mbledhur në një takim të përbashkët, organizatat përfaqësuese të biznesit i bëjnë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që të votojnë projektligjin për Gjykatën Administrative në seancën plenare të datës 11 maj 2009. Ky projektligj plotëson një institucion të munguar dhe të domosdoshëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai është një zgjidhje e mirë dhe një nismë që gëzon përkrahjen e komunitetit të biznesit, të përfaqësuar në një shkallë të gjerë nga shoqatat palë në këtë deklaratë. Në këtë iniciativë u bashkuan Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Shoqata e Ndërtuesve, Konfindustria, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Grave Afariste dhe Profesioniste, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, si dhe Agjencia Rajonale për Zhvillim. Në mbështetje të miratimit të ligjit, organizatat e biznesit janë përfshirë këto ditë intensivisht në disa tryeza bisedimesh me përfaqësues të opozitës dhe mazhorancës në nivel politik dhe ekspertësh, ku është vërejtur se përfaqësuesit e pozitës janë treguar të hapur për pranimin e vërejtjeve të opozitës dhe të biznesit. Përfaqësuesit e biznesit ngritën shqetësimin sepse kanë mbetur tashmë vetëm dy ditë pune para mbylljes përfundimtare të legjislaturës në fuqi dhe me keqardhje kemi vënë re se projektligji për Gjykatën Administrative nuk është përfshirë në kalendarin e punës për seancën e datës 11 maj, duke rrezikuar kështu miratimin e këtij ligji. Përfaqësuesit e biznesit u bëjnë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që të tregojnë përgjegjshmëri dhe ta votojnë këtë ligj, duke pritur mbi të gjitha një reagim pozitiv nga opozita. Biznesi këmbëngul se mbështetja në hartimin e ligjit dhe për krijimin e Gjykatës Administrative nga donatorë të huaj, e në mënyrë të veçantë, nga faza e dytë e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, është një garanci se kjo gjykatë do të përfitojë nga përvojat më të mira botërore dhe do të ndërtohet mbi bazën e një organizimi modern, efikas dhe transparent. “Thirrja jonë për Kuvendin e Shqipërisë është që ta miratojë projektligjin për Gjykatën Administrative në frymën e gjithëpranimit në seancën e fundit plenare të datës 11 maj 2009, si një çështje parësore për biznesin shqiptar, duke mos i shkaktuar, në të kundërtën, këtij komuniteti kosto të tjera të rënda. Për më tepër, mosmiratimi i këtij projektligji nga Parlamenti i Shqipërisë do të dëshmonte mungesë të theksuar të vullnetit politik për forcimin e shtetit ligjor dhe mirëqeverisjes në vend”, - thuhet në deklaratën e këtij grupimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›