E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje, një i vdekur një i plagosur

Konflikti i nisur gjatë Çelsi- Barcelona në një lokal, përfundoi mbrëmë me një të vdekur nga infarkti dhe një të plagosur me thikë

Policia ndalon një person dhe shoqëron disa të tjerë për të sqaruar shkakun dhe rrethanat e ngjarjes


TIRANË - Përplasje në një lokal bastesh për Çelsi- Barcelona, plagoset me thikë, një person një tjetër për shkak të infarktit ka ndërruar jetë në grindje e sipër, për shkak se nuk arriti t'i rezistonte grindjes.


Pëllumb Murati, 54 vjeç, banues në Tiranë, pronar i një moteli në rrugën nacionale Tiranë- Dajt, ka ndërruar jetë gjatë grindjes mes dy grupeve të personave, dërsa Kadri Luga, 50 vjeç, mori një plagë të rëndë, në grindje e sipër me Gentian Vathin, pronar i një dyqani ushqimor.


Ngjarja ndodhi mbrëmë në rrugën "Sytki Çiço", pas një konflikti të mbartur nga nata e të e së mërkurës, në një lokal bastesh fare pranë vendit të ngjarjes së mbrëmshme. Sipas burimeve të policisë dhe dëshmitarëve, Pëllumb Murati dhe Gentian Vathi, ishin konflikuar mbrëmë gjatë ndeshjes Çelsi- Barcelona.


Të mërkurën palët janë shoqëruar në komisariatin e policisë nr.4, por më pas ata kanë pohuar se nuk kishin probleme mes tyre. Dje pëllumb Murataj, ka mbërritur në rrugën "Sytki Çiço", me një grup personash, në një automjet "Mercedez- Benz" ML, për të marrë hak ndaj Gentian Vathit, babait dhe vëllait të tij.


Gjatë përleshjes mes palëve biznesmenit Murati, i ka rënë infarkt duke mos i rezistuar dot gjendjes emocionale. Edhe më parë ai sipas deklarimeve të dëshmitarëve, kishte vuajtur nga shqetësimet e zemrës. Ky i fundit është nisur menjëherë në drejtim të spitalit civil, ku ka marrë ndihmën e parë. Ndërkaq gjendja e tij ka ardhur duke u rënduar dhe Murati nuk ka mundur të rezistojë.


Nisur nga kjo gjendje e Muratit, konflikti është acaruar edhe më tepër mes palëve të cilët kanë nisur të sulmojnë Gentian Vathin, të cilëve iu ka dalë përpara gruaja shtatzënë e Vathit. Kjo e fundit ka shpëtuar për mrekulli pa pësuar ndonjë goditje me thikë, çka do t'i rrezikonte jetën asaj dhe fëmijës.


Nga përleshja në rrethana të pakuptueshme ka mbetur i plagosur Kadri Luga i cili gjithashtu është shoqëruar më pas në spital me urgjencë, për të marrë ndihmën mjekësore.


Burime të policisë që iu referohen dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, pohojnë se aty është parë edhe një armë zjarri pistoletë por që nuk është përdorur. Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar në ambientet e saj disa persona të cilët më pas janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.


Ndërkaq, policia gjatë këqyrjes së trupit të viktimës, Pëllumb Murati, ka vërejtur se ai nuk kishte plagë të shkaktuar me armë zjarri, apo me mjete të mprehta, duke konfirmuar se vdekja e tij kishte ardhur për shkaqe natyrale dhe jo nga përplasja mes grupeve.


Për të sqaruar ngjarjen, policia ka shoqëruar në ambientet e saj Gentian Vathin, Elton Vathin, Eltion Muratin, Xhavid Vathin, dhe Aldo Hoxha. Këtyre të fundit, policia iu ka marrë deklarimet dhe versionet e tyre mbi ngjarjen e djeshme si dhe mbi rrethanat dhe motivet e saj.

Vdes nga infarkti gjatë një sherri

Shkojnë për të vjedhur, arrestohen nga policia

TIRANË - Shkojnë për të vjedhur dhe arrestohen në flagrancë nga policia. Arli Seferi 21 vjeç, me banim në Fushë - Krujë dhe Agim Bushi, 32 vjeç, me banim në Zall - Herr janë arrestuar dje NË Bathore nga policia në tentativë për të vjedhur në ambjentet e një pallati në ndërtim.


Dy personat e lartpërmendur para se të arrestohen nga policia janë konfliktuar me rojën private të pallatit të ri që i ka parë këta të fundit që kishin vajtur me qëllimin për të vjedhur.


Pas njoftimit që kanë marrë efektivat e Policisë së Komisariatit Nr 5 në Tiranë kanë mbërritur në vendngjarje duke i bërë të mundur arrestimin e Seferit dhe Bushit që kishin si qëllim të grabisnin disa sende të ndryshme që ndodheshin brenda pallatit në ndërtim.


Policia ka marrë në pyetje rojën e pallatit për të treguar mënyrën se si kishin vendosur dy të arrestuarit të kryenin vjedhjen. Arli Seferi dhe Agim Bushi akuzohen për veprën penale të vjedhjes e kryer në bashkëpunim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›