E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, mohon njohjen me Lulzim Berishën, i vihen prangat



Laureta Rryçi
Një dëshmitar në procesin e bandës së Durrësit është shoqëruar në polici për dëshmi të rreme. Eqerem Kazazi është ndalur sapo ka kapërcyer dyert e gjykatës pasi do të verifikohet dëshmia që ka dhënë ndaj 16 të akuzuarve si anëtarë të bandës. Kazazi deklaroi në seancën e djeshme gjyqësore se nuk e njihte Lulzim Berishën, të akuzuarin si drejtues të bandës, ndërsa gjatë dy deponimeve që kishte dhënë në prokurori kishte deklaruar të kundërtën.
Kazazi gjithashtu mohoi dhe pjesën më të madhe të dëshmisë që kishte dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore më 8 prill dhe 16 maj të vitit 2006. Në këto deponime ai ishte shprehur se e kishte njohur Lulzim Berishën nëpërmjet një miku të tij. Para oficereve kishte folur edhe për njohje me Ermir Dervishin, të cilit i kishte shitur makinën e tij tip “Golf” dhe që dyshohet se është përdorur nga banda për të kryer krime.
Më herët në gjyq dëshmoi Thoma Curri, babai i Viron Currit, i riu që mbeti i vrarë së bashku me Marsel Sotirin në vitin 1998.
Anëtarët e bandës së Durrësit akuzohen për nëntë vrasje, disa plagosje dhe krime të tjera të ndodhura në Durrës dhe Tiranë nga viti 1998 deri në 2008-n.
Arrestimi
Dëshmitari 42-vjeçar, Eqerem Kazazi, u fut në furgonin e policisë të Komisariatit Nr. 2 me urdhër të prokurorit Anton Martini. Shkak u bë qëndrimi i tij përballë pyetjeve të prokurorit. Kazazi u pyet me këtë cilësi në lidhje me një makinë të shitur shokëve të Lulzim Berishës, e cila u përdor për të vrarë Viron Currin dhe Marsel Sotirin, dy shokët e Dritan Sollakut. Sipas akuzës, Kazazi ka pasur njohje me anëtarët e bandës dhe i ka ndihmuar për makinë, por dje mohoi gjithçka. Për gati dy orë gjatë marrjes në pyetje para gjykatës, Eqerem Kazazi, i dënuar në vitin 1997 për armëmbajtje pa leje, mohoi të kishte njohje me Marsel Sotirin dhe Lulzim Berishën. Po ashtu ai tha se nuk ka njohur asnjë nga personat që janë duke u gjykuar. Gjatë gjithë kohës ai i thoshte gjykatës se nuk mbante mend, nuk njihte njeri dhe nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për këta persona. Ndërsa në deklarimet e dhëna në Policinë Gjyqësore në vitin 2006, Kazazi ka bërë të kundërtën. Dëshmia e tij u bë mes tensioneve dhe kundërshtimeve të herëpashershme nga të pandehurit, avokatët dhe prokurori, i cili, pasi bëri kundërshtimin e dëshmisë, urdhëroi arrestimin.
Dëshmia
I pyetur nga Akuza se kur ishte arrestuar, Kazazi tha se nuk e mbante mend vitin. Gjatë gjithë kohës mundohej t’u fshihej deklarimeve duke bërë të paditurin. Prokurori e pyeti edhe për shokun e dhomës së burgut, por dëshmitari nuk e mbante mend. Një tjetër pyetje ishte nëse e njihte apo jo Lulzim Berishën. Ai tha se nuk e kishte dëgjuar emrin e tij para se ta shihte në televizor. “Unë mbaj mend që një herë, te bingoja ime, që e kisha në qendër të Kavajës, me të njëjtin emër, ka ardhur një person me emrin Titi. Ishte i shoqëruar me 2-3 të tjerë. Unë nuk u prezantova me këta persona. Unë Titi Hasën me këtë emër e njoh, nuk e di se e ka Petrit. Dhe nuk e di nëse ka qenë në burg apo jo Titi”, - tregoi dëshmitari. Kjo ka qenë një nga pikat e kundërshtimit të Akuzës. Në thëniet e para Kazazi është shprehur se ka qenë në burg me Tit Hasën dhe se e ka njohur Lul Berishën në bingon e tij në Kavajë. “Unë kam pasur një bingo në Kavajë dhe e kam filluar aktivitetin nga viti 1995 deri në vitin 1996. Në bingo vinin shumë çuna nga Durrësi e Kavaja. Jemi 8 vëllezër dhe kemi pasur rreth 20 makina. I kemi shitur. Kam pasur një makinë ‘Golf 2’, të cilën ia kam shitur shtetasit Ervin Kariqi. Ky ka vdekur, por nuk e di se në ç’rrethana, kur dhe ku. Ky nuk ka qenë shok me mua, por me vëllanë tim, Ervin Kazazin. Kam dhe një vëlla me emrin Spartak Kazazi. Ndërkohë që Ermir Dervishin, për të cilin më pyesni, e kam njohur nëpërmjet Ervin Kariqit. Të gjithë ishin çuna të rinj dhe nuk ua mbaj mend moshën. Unë e di që çelësat e makinës golf ia kam dhënë disa herë Ervin Kariqit. Ndërsa për Adriatik Colin, për të cilin më pyesni, nuk e njoh”, - tha dëshmitari.
Coli, nga ana e tij, iu përgjigj se po gënjente. “Si nuk më njeh mua ti?! Unë të kam ardhur dhe në shtëpi”, - ia ktheu ai. Ai tha se nuk njihte as Marsel Sotirin, i cili u plagos ditën kur u vra Viron Curri. Reagime në sallë erdhën dhe nga Lulzim Berisha, që deri tani qëndronte në heshtje. Disa herë Berisha iu drejtua gjykatës duke i thënë se po bëjnë një proces pa vlerë dhe dëshmitarët e Akuzës po manipulohen.

Dëshmon Thoma Curri: “Banda e Lul Berishës ekzekutoi tim bir”
Dëshmitari i radhës ishte dhe Thoma Curri, babai i Viron Currit, ish-oficerit të doganës, i vrarë në vitin 1998. Dëshmitari nuk ngurroi dje të drejtonte gishtin në sallën e gjyqit nga Lulzim Berisha. “Ditën e ngjarje, më datë 29 tetor 1998, djali ishte duke ardhur nga dogana me makinë së bashku me Marsel Sotirin. Marseli kishte vajtur ta merrte në punë dhe po ktheheshin. Unë vetë nuk kam qenë në vendngjarje, por kam mësuar nga shokët e djalit dhe nga nëna e Marsel Sotirit se ekzekutimin e kanë bërë Lulzim Berisha me shokët e tij. Asnjëherë nuk e mësova motivin përse e kanë vrarë djalin tim. Por di të them se nëna e Marsel Sotirit më ka ardhur në shtëpi pas vdekjes së djalit dhe më tha se e ka vrarë Lulzim Berisha. Ndërsa shokët e djalit më kanë shpjeguar se atë ditë, kur është qëlluar makina, Marseli ka arritur të largohet, edhe pse u plagos, ndërsa djali im është vrarë në vend”, - dëshmoi Thoma Curri. Më tej dëshmia e tij vijoi duke treguar se i biri ishte shok me Dritan Sollakun, i vrarë po në tetor të vitit 1998 në afërsi të shkollës “7 Nëntori” në Durrës. Bashkë me Viron Currin u vra edhe Arjan Paja. Më pas atentatet nuk kanë reshtur. Më 5 korrik të 1999-s, Berisha, në bashkëpunim me “ushtarët” e tij, vranë Eduart Ongarin, pasi ishte shoku i Marsel Sotirit dhe strehues i autorëve që vranë shokët e tyre, Ilir Xhunga e Arben Paja. Sipas prokurorisë, duke përdorur një person tjetër si “karrem”, banda e Lulzim Berishës ekzekutoi Marsel Sotirin në vendin e quajtur zona e Plazhit në qytetin e Durrësit. I ekzekutuari i fundit, para se banda të ndahej më dysh, ishte Dritan Disha, i njohur për lidhjet e tij me Sotirin.

27 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›