Shpërblimi, jo më në bankë. Udhëzimi, procedurë e re për regjistrimin e foshnjave
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, sapo ka firmosur një udhëzim të posaçëm që përcakton procedurë të re për regjistrimin e foshnjave për rastet kur lindin brenda dhe jashtë vendit. Sipas udhëzimit, nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile do të regjistrojnë të gjithë fëmijët e paregjistruar dhe të lindurit pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, sipas procedurave ligjore ekzistuese. Për rastet e regjistrimit të lindjeve të ndodhura brenda vendit, të cilat deklarohen brenda afatit 60-ditor nga dita e lindjes, nëpunësi i gjendjes civile do të mbajë aktin e lindjes dhe do ta pajisë të interesuarin me certifikatë lindje, në të cilën duhet pasqyruar saktë data e lindjes dhe data e mbajtjes së aktit të lindjes. Për rastet e regjistrimit të lindjeve të ndodhura jashtë shtetit, të cilat deklarohen brenda afatit 90-ditor nga dita e lindjes, nëpunësi i gjendjes civile do ta pajisë të interesuarin me certifikatën e lindjes në të cilën do të pasqyrojë saktë datën e lindjes dhe datën e mbajtjes së aktit, kur akti mbahet në këtë zyrë ose datën e regjistrimit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile për raste kur
akti është mbajtur jashtë shtetit. Nëpunësi i zyrës së gjendjes civile, pasi vëren se rasti përmbush kriteret e mësipërme që kanë të bëjnë me afatet, e pajis të interesuarin me certifikatën e lindjes së fëmijës me shënimin “Për efekt shpërblimi, nga
regjistrimi i lindjes brenda afatit ligjor”. Për të gjitha këto raste, zyra e gjendjes civile do të hartojë një listë mujore dhe e dërgon në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe një kopje zyrës së financës përkatëse. I interesuari, me certifikatën e lindjes, duhet të paraqitet në zyrën e financës së bashkisë/njësisë bashkiake/komunës përkatëse, për të tërhequr shumën prej 5000 (pesë mijë) lekë. Punonjësi i ngarkuar nga kryetari i bashkisë/njësisë bashkiake, komunës, pasi administron certifikatën e lindjes me shënimin “Për efekt shpërblimi, nga regjistrimi i lindjes brenda afatit ligjor”, e verifikon me listën e hartuar nga zyra e gjendjes civile, kryen pagesën dhe në fund të çdo muaji do të hartojë listën e shtetasve, të cilët kanë përfituar nga ky shpërblim. Brenda datës 5 të muajit pasardhës, kryetari i bashkisë/njësisë bashkiake/komunës, dërgon
pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme kërkesën për fond, të shoqëruar me listën emërore të fëmijëve të regjistruar brenda afatit ligjor dhe që kanë përfituar/do të përfitojnë shpërblimin. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të përgatisë pasqyrën përmbledhëse për njësitë shpenzuese që kanë paraqitur kërkesë për fond dhe çdo dy muaj do ta dërgojë pranë Drejtorisë së Politikave Financiare.
Drejtoria e Politikave Financiare përgatit praktikën dhe e dërgon menjëherë në Ministrinë e Financës për rialokimin e fondit nga programi i “Gjendjes civile”, për bashkitë/njësitë
bashkiake/komunat.
27 Prill 2010