Bushati: “Qeveria të plotësojë kriteret e mbetura të procesit të liberalizimit të vizave”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, vëren se qeveria nuk ka pasur prioritet të saj absolut integrimin e vendit përderisa në 3 muajt e fundit ka miratuar ligje që duhet të ishin gati që nga vitit 2008.
"Për fat të keq vihet re që një pjesë e mirë e strategjive, e ligjeve apo vendimeve, janë miratuar vetëm në tremujorin e fundit, çka dëshmon një mungesë të vullnetit të qartë politik për ta konsideruar çështjen e heqjes së vizave një prioritet absolut të institucioneve shqiptare", - deklaroi Bushati. Ai nënvizon se në kohën e mbetur deri në vendimin për liberalizimin e vizave, maxhoranca duhet të harxhojë më shumë kohë në kushtet e mbetura dhe të paplotësuara. "Unë besoj se koha e mbetur në dispozicion nga momenti që KE-ja pritet të bëjë propozimin për heqjen e regjimit të vizave derisa ky propozim i KE-së të kalojë harkun e të gjitha institucioneve të BE-së, që do kërkojë një kohë relative, do të duhet të shërbejë jo për retorikë dhe festime nga ana e qeverisë shqiptare, por duhet të shërbejë për të plotësuar kriteret e mbetura", - tha Bushati.
Socialistët fajësojnë performancën e dobët të kësaj qeverie për faktin se jemi të fundit në rajon që nuk lëvizim pa viza në Europë.
Dade në Përmet: “Berisha ka 6 vjet që i gënjen qytetarët për heqjen e vizave”
Deputetët e Partisë Socialiste, Arta Dade dhe Et’hem Ruka, kanë qenë në Përmet në mbështetje të protestës së banorëve të këtij qyteti. Banorët kanë protestuar kundër kostos së lartë të jetesës, çmimeve të papërballueshme të ushqimeve, të faturave të dritave dhe kanë ngritur si shqetësim numrin e lartë të papunësisë dhe mbetjen e Shqipërisë të fundit në listën e shteteve që kanë liberalizuar vizat me Europën. Në fjalën e saj deputetja Dade ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Sali Berisha për gjendjen në të cilën ndodhet vendi. “Sali Berisha ka 6 vjet që i gënjen shqiptarët për liberalizimin e vizave. Ai nuk mund ta shkatërrojë më Shqipërinë dhe nuk duhet të vazhdojë të gënjejë, por duhet të bëjë transparencën e zgjedhjeve”, - u shpreh Dade. Ajo u ka bërë thirrje banorëve të Përmetit të mblidhen të gjithë në protestën e madhe të 30 prillit në Tiranë, për të protestuar kundër një qeverie që e ka marrë pushtetin me anë të vjedhjeve dhe jo të zgjedhjeve. “Sali Berisha nuk mund të vazhdojë të mashtrojë më as shqiptarët, as partnerët tanë europianë. Ai s’mund të vazhdojë t’u hedhë më hi syve. Në qoftë se ai realisht vazhdon të mbahet se i ka fituar zgjedhjet, nuk ka ku të shkojë; ai do të bëjë se s'bën transparencën e zgjedhjeve. Sali Berisha nuk mund të vazhdojë më ta shkatërrojë Shqipërinë. Sali Berishës, kësaj radhe, Partia Socialiste, populli opozitar, madje edhe ata që kanë votuar për të, të gënjyer tashmë, do t’i thonë ndal dhe do ta çojnë në shtëpi atë bashkë me shpurën e vet që po shkatërron jo vetëm Shqipërinë, por po shkatërron dhe po bën një dëm shumë të madh edhe për të ardhmen tonë të përbashkët”, - u shpreh deputetja Dade duke iu drejtuar qytetarëve përmetarë. Ajo shtoi: “Ne shqiptarët nuk jemi më pak të emancipuar se europianët. Ne nuk jemi më pak të qytetëruar sesa grekët, fqinjët tanë, as sesa italianët, fqinjët tanë, as sesa malazezët, madje as edhe sesa serbët. Ju e dini që ata janë shumë më përpara sesa ne, ata lëvizin lirshëm në Europë. Kush e ka fajin që ne mbetëm të fundit në liberalizmin e vizave? E ka fajin Sali Berisha. Ka 6 vjet që premton integrimin dhe ne e kemi shndërruar integrimin vetëm në retorikë dhe asgjë nuk bëhet për integrimin për arsye se Sali Berisha e ka dhënë me prova se ç’është në gjendje të bëjë për ta izoluar Shqipërinë, dhe jo për ta integruar”.
27 Prill 2010