Xhafa: “Topi, transparent per anetaret e gjykatave”
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa, duke qenë edhe jurist me profesion, i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të konsultohet me personalitete dhe ekspertë të pavarur të jurisprudencës për procesin e përzgjedhjes së kandidaturave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Por, mbi të gjitha, deputeti Xhafa ka theksuar që ky proces konsultimi të jetë real, transparent dhe efektiv. Xhafa thekson se procesi për përzgjedhjen, dekretimin dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë mbi kriteret e duhura, është kusht thelbësor për reformimin e sistemit të drejtësisë, garantimin e respektimit të Kushtetutës dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Deklarata
“Dëshiroj që të ndaj sot me ju dhe nëpërmjet jush, me gjithë opinionin publik, interesin e posaçëm të Partisë Socialiste lidhur me procesin e nisur për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë”, - u shpreh deputeti Xhafa. Ai vlerësoi se rritja e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe në funksion të saj, integriteti moral dhe profesionalizmi i nivelit më të lartë të mundshëm i anëtarëve të këtyre dy institucioneve, është një nga kushtet themelore dhe një nga kolonat më të rëndësishme të të gjithë sistemit të drejtësisë dhe garancisë për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. “Konsultimi me ekspertë të pavarur në sferën e së drejtës nuk do të ishte i mjaftueshëm nëse ky proces nuk shoqërohet me një transparencë të plotë në përzgjedhjen e kandidaturave, me vendosjen e kritereve të ndershme dhe të drejta për seleksionimin e tyre, me ballafaqimin e kandidaturave të përzgjedhura me publikun, me qëllim ecurinë dhe finalizimin me sukses të këtij procesi kaq të rëndësishëm”, - theksoi Xhafa.
Përzgjedhja
Deputeti Xhafa, në emër të Partisë Socialiste, kërkon që juristët që do të promovohen dhe përzgjidhen si kandidatë duhet të karakterizohen para së gjithash nga vlera të spikatura profesionale në fushën përkatëse, të jenë individë që kanë shprehur integritet të lartë moral dhe profesional gjatë karrierës së tyre, të tillë që garantojnë se janë të aftë të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese, të pandikuar nga çdo lloj presioni politik dhe korruptiv. “Rrallë ka ndodhur që në një moment të vetëm të ndërpritet mandati i një numri kaq të konsiderueshëm gjyqtarësh. Ky fakt i jep Presidentit të Republikës një përgjegjësi të lartë dhe mundësi historike për të ndikuar pozitivisht në mirëfunksionimin e mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”, - u shpreh Xhafa, duke shtuar: “Partia Socialiste shpreson se Presidenti i Republikës do të kryejë në mënyrën e duhur misionin e tij kushtetues, se do të realizojë përgjegjësitë e tij institucionale dhe kushtetuese si pjesë të një projekti afatgjatë e vullnetmirë për zgjedhjet e duhura në këto dy institucione, në këtë moment thelbësor për të sotmen dhe të nesërmen joafatshkurtër të Drejtësisë në Shqipëri”. Xhafa deklaroi se PS-ja do të mbështesë fort politikisht çdo hap pozitiv që i shërben ndërtimit të një procesi konstruktiv për përzgjedhjen e kandidaturave, duke konsideruar pozitivisht edhe propozimin e partnerëve ndërkombëtarë për mundësinë e votimit të dekreteve presidenciale nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar. “Çdo shmangie prej standardeve kushtetuese dhe morale në procesin e përzgjedhjes, dekretimit dhe emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, jo vetëm do të komplikonte të nesërmen e këtyre dy institucioneve, por do të kishte një ndikim të padëshiruar në të gjithë sistemin e drejtësisë në vend, si dhe do të komprometonte rëndë reformën e mundimshme dhe jo gjithmonë të suksesshme në sistemin e drejtësisë”, - tha Xhafa.
KANDIDATURAT
Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka thirrur para një jave një tryezë konsulte me ekspertë ligjorë dhe drejtues të institucioneve të Drejtësisë në vend për 10 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Në këtë takim nuk mungonin dhe ekspertë të OSBE-së, të Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Europian. Presidenti Topi e ka quajtur këtë një proces tejet të rëndësishëm jo vetëm për shkak të numrit të konsiderueshëm të vendeve vakante, por edhe për funksionin specifik që kanë këto dy gjykata në strukturën institucionale të vendit. “U kam bërë thirrje konstante partive parlamentare që t’i kushtojnë gjithë vëmendjen e duhur përmirësimit të klimës politike, me qëllim krijimin e një shtrati bashkëpunimi për këto emërime. Politika duhet të ruajë strukturën e shtetit. Ajo duhet të jetë e harmonizuar për gjëra madhore”, - ka theksuar kreu i shtetit.
Grupi i punës, në përfundim të konsultimit, i ka paraqitur presidentit kriteret dhe standardet, veç atyre ligjore, ku duhet të bazohet për të përzgjedhur 10 kandidatët, kritere që lidhen me etikën, moralin e nivelin profesional të tyre.
Rama, me ftesë në dorë, i fton qytetarët e Shkozës në protestën e 30 prillit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje në mesditë takime spontane derë më derë në zonën e Shkozës. Gjatë këtyre takimeve individuale me banorë të periferisë së kryeqytetit, kryetari Rama ka dëgjuar rrëfimet e banorëve për problemet kryesisht ekonomike me të cilat përballen përditë. Rama, me fletëpalosje në duar, u ka shpërndarë personalisht banorëve ftesa pjesëmarrjeje në protestën e madhe të 30 prillit në bulevardin e Tiranës. Ndër shqetësimet kryesore të banorëve ishin faturat e shtrenjtuara të energjisë, faturat e shtrenjtuara të ujit, ilaçet që pensionistët marrin pa rimbursim, papunësia e shumë të tjera. Njëra prej banorëve shprehet: “Të takoj dhe qaj hallin se vuajtëm dhe po vuajmë akoma nga Sali Berisha. Dritat na i kanë çuar në stratosferë, ujin në stratosferë, ushqimet në stratosferë. Unë marr 70 mijë lekë pension. Kam punuar 35 vjet. Me çfarë do t’i laj unë gjithë ato gjoba që na vë Sali Berisha? T’i vijë turp që gënjen. Vajta mora ilaçet, se kam 10 vjet që vuaj nga tensioni dhe kam marrë 8 mijë lekë ilaçe nga ana ime, sepse ata gënjejnë kur thonë që kemi rimbursuar ilaçet. T’i vijë turp që gënjen. Ka mbushur jo një thes me rrena, por me mijëra thasë me rrena. Të largohet sa më shpejt, se nuk e durojmë dot më! Mbaruam, i ka bërë njerëzit të flasin me vete. Po kalojmë në stres, po çmendemi. Me çfarë do të jetoj unë?! Të më thotë Sali Berisha që del atje dhe thotë ekonomia është në rritje. Për veten e tij po që është pasuruar, ka futur gjithë njerëzit e tij hajdutë, ndërsa ne, populli, jemi të gjithë fukarenj. Po luajmë mendsh. Sot nuk kemi asnjë lek në shtëpi”.
Një tjetër banor shprehet: “Kemi hyrë në krizë shumë të thellë, që nuk e përballojmë dot. Jemi 5 veta në familje dhe jetojmë me një përkrahje sociale. Jam detyruar ta heq fëmijën nga shkolla dhe e kam futur në punë që mos ta bëj hajdut, të vjedhë bankat dhe të marrë njerëz peng nëpër rrugë. Jam e detyruar ta bëj këtë gjë. Nuk është gjë e mirë ta heq fëmijën nga shkolla, por na ka detyruar regjimi i Sali Berishës dhe do ta heqim përfundimisht së bashku”.
Kryetari Rama, teksa bashkëbisedonte me banorët e Shkozës, ka përcjellë që nga periferia e Tiranës thirrjen për të gjithë për pjesëmarrje masive më 30 prill në bulevardin e Tiranës, në protestën më madhështore e më paqësore që do të organizojë opozita.
27 Prill 2010