E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durresit, ne gjyq i vihen prangat deshmitarit

TIRANE- Një dëshmitar në procesin e Bandës së Durrësit është shoqëruar në polici për dëshmi të rreme. Eqerem Kazazi është ndalur sapo ka kapërcyer dyert e gjykatës pasi do të verifikohet dëshmia që ka dhënë ndaj 16 të akuzuarve si anëtarë të bandës.

Kazazi deklaroi në seancën e sotme gjyqësore se nuk njihte Lulzim Berishën, të akuzuarin si drejtues të bandës, ndërsa gjatë dy deponimeve që kishte dhënë në prokurori kishte deklaruar të kundërtën.
Kazazi gjithashtu mohoi dhe pjesën më të madhë të dëshmisë që kishte dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore në 8 prill dhe 16 maj të vitit 2006.

Në këto deponime ai ishte shprehur se kishte njohur Lulzim Berishën nëpërmjet një miku të tij. Para oficereve kishte folur edhe për njohje me Ermir Dervishin, durrsakas të cilit i kishte shitur makinen e tij tip Golf dhe që dyshohet se është përdorur nga banda për të kryer krime. Më herët ne gjyq dëshmoi Thoma Curri, babai i Viron Currit, i riu që mbeti i vrarë së bashku me Marsel Sotirin në vitin 1998 . Anëtarët e “Bandës së Durrësit” akuzohen për nëntë vrasje, disa plagosje dhe krime të tjera të ndodhura në qytetin e Durrësit dhe Tiranës nga viti 1998 deri në 2008.

(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›