E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, objektet dhe aksionet shtetërore drejt privatizimit total



Ervin KOÇI

Të gjitha aksionet dhe asetet e ndërmarrjeve shtetërore të mbetura do të privatizohen totalisht deri në fund të këtij viti. Qeveria ka urdhëruar që brenda muajit prill të gjitha ministritë duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Ekonomisë inventarin e aseteve të tyre. Në kuadër të procesit të privatizimeve po përshpejtohen afatet për të krijuar një database të plotë me pasuritë shtetërore që do të kalojnë në duart e privatëve. Të gjitha ministritë janë duke përgatitur listat me asetet e pavëna në eficiencë nga institucionet shtetërore, nga të cilat do të dalë edhe lista konkrete me objektet për privatizim. Ministria e parë që e ka dorëzuar këtë listë ka qenë ajo e Mbrojtjes, ku janë të paktën 420 objekte që do të privatizohen. Megjithatë, në pritje të plotësimit të kësaj liste, Ministria e Ekonomisë e ka gati listën me 13 ndërmarrje në varësi të saj që do i nënshtrohen privatizimit 100 për qind. Janë të paktën 100 specialistë që po merren me përgatitjen e listës me objektet shtetërore që do të kalojnë në procesin e privatizimit. Sipas asaj çka është deklaruar më parë, qeveria shqiptare do të heqë dorë nga të gjitha aksionet e mbetura në kompanitë shtetërore, si dhe në ato kompani që tashmë janë në duart e investitorëve privatë. Në përmbushje të kësaj nisme mësohet se brenda këtij muaji fillon puna për privatizimin e aksioneve shtetërore tek Albtelekom, proces i cili do të pasohet edhe me shitjen e aksioneve të mbetura tek ARMO dhe OSSH.

Procedurat
Të gjithë investitorët e huaj apo edhe ata shqiptarë që do të futen në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve apo objekteve shtetërore do të mund të marrin informacion nëpërmjet internetit. Duke pasur parasysh se viti 2010 do të jetë viti i privatizimeve, me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup pune, i cili po bën rivlerësimin e të gjitha aseteve që parashikohet të hyjnë në këtë proces. Krahas kësaj pune është vendosur edhe procedura se si do të njihen investitorët me kompanitë dhe objektet që do të futen në privatizim. Kështu, sipas kësaj procedure, të gjitha materialet për këto kompani do të hidhen në faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ku do të jenë të hapura për publikun. Për objektet shtetërore përveç të dhënave bazë që kanë të bëjnë me vendndodhjen, çmimin apo sipërfaqen do të ketë edhe disa fotografi që do të mund tu krijojnë personave të interesuar idenë e qartë për këtë ndërtim si dhe vlerën e tij. Për sa i përket ndërmarrjeve shtetërore do të ketë të dhëna më të detajuara që kanë të bëjnë me numrin e punonjësve, bilancin e tyre apo dhe me fitimet që kanë pasur në vite. Ndërkohë mësohet se direktiva është për të privatizuar pothuajse çdo gjë me përjashtim të hidrocentraleve të kasakdës së Drinit që nuk do jenë në proces, shëndetësisë dhe arsimit. Çdo gjë tjetër që është pronë e shtetit shqiptar qoftë në mazhorancë apo minorancë, ndërmarrje shtetërore, asete dhe prona kudo në vend do të jenë pjesë e procesit. Kjo sipas ministrit do të krijojë mundësinë që shteti dhe qeveria të zvogëlohet dhe të shpenzojë më pak, por gjithashtu do të ketë edhe një kontribut më të madh. "Ne parashikojmë që këtë vit rreth 100 milionë euro do ti shkojnë buxhetit të shtetit nga procesi i privatizimit", ka deklaruar pak kohë më parë ministri Dritan Prifti.

Aksionet
Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, të gjitha aksionet e minorancës që ka qeveria në kompanitë private do të kalojnë në duart e privatëve. Këtu përfshihen 24 për qind të aksioneve shtetërore të mbetura në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, 25 për qind të aksioneve të Albtelekomit, si dhe të 15 për qind të aksioneve në kompaninë ARMO. Ndërkohë një ndër objektivat kryesor për këtë vit do të vazhdojë të mbetet privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG.

Vlerësimi
Procedurat për vlerësimin e pasurisë shtetërore fillojnë me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë. Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit në përputhje me vlerën reale të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi ligjore për vlerësimin e bërë dhe për dokumentet e hartuara dhe nënshkruara prej tij (genplane, situacione, aktvlerësime etj).

Pronarët
Të gjithë pronarët e trojeve mbi të cilët janë ndërtuar objektet që do të përfshihen në procesin e privatizimit kanë të drejtën e parablerjes së tyre, por me një procedurë të re. Tani asnjë prej tyre nuk duhet të depozitojë kërkesë për të fituar këtë të drejtë, por do të jenë Drejtoria e Shitjes dhe Administrimit të Pronës Publike që pasi të marrë informacionin se trualli është me pronar, do tu japin këtyre të fundit mundësinë e parablerjes.

Dorëzimi i pasqyrave financiare, bizneset edhe 4 ditë kohë

Kanë mbetur vetëm 4 ditë nga skadimi i afateve të bizneseve të vogla për të dorëzuar pasqyrat financiare pranë administratës tatimore. Numri i subjekteve që kanë kryer këtë procedurë deri tani konsiderohet i ulët. Kreu i Tatimeve, Artur Papajani, deklaroni se nëse ky afat shkelet atëherë bizneset do të gjobiten me 10 mijë lekë për çdo pasqyrë të padorëzuar. Biznesi i vogël duhet ti përgatisë pasqyrat financiare sipas standardeve të kontabilitetit, çka shton domosdoshmërinë pajtimit të një ekonomisti apo kontabilisti. “Gjithmonë në 2-3 ditët e fundit ndodh të jetë i gjithë fluksi i dërgimeve, domethënë i gjithë atyre që janë të detyruar për të deklaruar pasuritë e tyre financiare. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve këtë vit ka nxjerrë një udhëzues diku nga fillimi i marsit për të qartësuar të gjithë drejtoritë tona rajonale në funksion të përpunimit të deklaratave, ata do ti presin këto deklarata. Por nuk mund të presim që një barist, sado të bëjë kokteje të shkëlqyera të mund të bëjë një pasqyrë kontabiliteti, nuk mund të ndodhë kurrë kjo”,- theksoi Papajani. Kreu i Tatimeve pranon edhe problemin e çregjistrimit të disa bizneseve pas uljes së xhiros vjetore nga 8 në 5 milionë lekë në vit. Por sipas Papajanit, këto subjekte nuk do të shpëtojnë nga detyrimet ligjore pavarësisht këtyre veprimeve. “Ne kemi kontakte me QKR-në dhe kemi njoftuar edhe biznesin e vogël që të mos bëjë veprime që i rrisin koston e administrimit”,- u shpreh Papajani.

Shoqata e Bankave: Rritet numri i kredive të këqija

Rritja e peshës së kredive me probleme në raport me totalin e kredisë është një nga pasojat që ka sjellë kriza në Shqipëri. Megjithatë ky përkeqësim i ndjeshëm i këtij treguesi për kreun e shoqatës së Bankave të nivelit të dytë, nuk do të thotë aspak që bankat të bllokojnë kreditimin. “Kjo është një karakteristike e periudhës se krizave, por kjo nuk do ta ndale veprimtarinë kredituese te bankave për arsye te ndryshme. Se pari, nëse nuk jepen kredi atëherë treguesi i kredive të këqija do të rritet. Se dyti, nëse nuk jepen kredi bankat nuk mund të fitojnë”,- tha Libero Catalano. Duke kërkuar më shumë kujdes nga bankat në përzgjedhjen e klientëve, kreu i shoqatës Catalano thotë se tashmë po vihet re një kujdes më i lartë edhe prej bizneseve. “Problemi nuk është vetëm nga ana e bankave sepse edhe ndërmarrjet tashme tregohen më të kujdesshme, edhe vetë individët. Edhe kërkesa nga ana e tyre është zvogëluar për shkak të kujdesit që tregojnë. Me rikthimin e besimit do të kthehen të dyja”,- tha Catalano. Në vitin e fundit kredi me probleme janë sa 10.5 për qind e totalit të kredive. 18 muaj më parë ky tregues ka qenë vetëm 3 për qind. Shifrat tregojnë se probleme në pagimin e kësteve të kredisë kanë si bizneset ashtu edhe individët.

KESH-i, eksport energjie edhe gjatë muajit prill

Eksporti i energjisë elektrike po i sjell miliona euro në muaj korporatës. KESH ka njoftuar se do të vazhdojë të shesë energji elektrike edhe gjatë muajit prill. Korporata ka publikuar listën zyrtare të kompanive fituese të ankandit të prillit për shitjen e 273 milionë kilovatëve orë energji, sasi kjo që ka një vlere të përafërt prej 11 milionë euro. Shitjet do të mund të realizohen nëpërmjet kompanive të ndryshme që operojë në tregun rajonal ku spikasin të përhershmet “EFT”-ë, “RUDNAP” dhe “EGL”-ë. Muaji prill është i katërti rresht që eksportet e energjisë sjellin për korporatën më shumë se 10 milionë euro në muaj. Çmimet e shitjes për megavat kanë variuar nga 42 deri në rreth 52 euro, ndërkohë që rrugët e eksportit të energjisë janë ato tradicionalet me Greqinë dhe Kosovën. Sipas të dhënave të KESH-it në tre muajt e parë të vitit nga shitjet e eksportit dhe ata në tregun e brendshëm janë arkëtuar mbi 50 milionë euro. Sasitë e mëdha të reshjeve kanë sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës në kaskadën e Drinit, ku të tre hidrocentralet punojnë në kapacitet të plotë. Për këtë vit prodhimi mesatar ditor është rreth 24 milionë kilovat/orë, shifër kjo e pa arritur më parë në Shqipëri.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 26.03.2010

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.15%
12M 12-mujor 7.51%
6M 6-mujor 6.49%
3M 3-mujor 5.65%
1M 1-mujor 5.13%
1Ë njëjavor 4.79%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.89%
1Ë njëjavor 6.19%
o/n njëditor 5.95%
12M 12-mujor 9.30%
6M 6-mujor 8.00%
3M 3-mujor 7.19%

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›