E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja, për inat të PS-së, e kthen protestën e 1 Majit në festë



Partia Demokratike do të organizojë një manifestim madhështor më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Ky aktivitet është njoftuar dje nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në përfundim të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Socialistët deklaruan se do të organizojnë një protestë masive në kryeqytet më 30 prill, ndërsa demokratët, menjëherë pas këtij vendimi nga opozita, reaguan duke njoftuar organizimin e një feste masive një ditë më pas, pikërisht më 1 Maj. Në vende të ndryshme të botës dita e 1 Majit nuk festohet, por protestohet për të drejtat e punëtorëve kudo në botë.
Deklarata
“Ne nuk do të lejojmë që Edi Rama ta shndërrojë disfatën e tij personale në një dramë kombëtare. Refuzimi i prerë i ofertave tona serioze tregon se kryetari i PS-së është i vendosur për t’i shkuar deri në fund aventurës së tij politike, duke u përpjekur pa sukses që më lëvizjet dhe qëndrimet e tij të dëmtojë me sa mundet imazhin dhe proceset integruese të Shqipërisë. Edi Rama është njeriu i krizës në Shqipëri. Asambleja e thirrur prej tij nuk prodhoi asgjë të re dhe asnjë befasi. U shqiptuan të njëjtat slogane për gjoja transparencën dhe u theksua edhe njëherë se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk do të lejohet të dalë nga kutia. Protesta e 30 prillit, e paralajmëruar nga PS-ja, do të ketë fatin e protestave të kaluara. Gjeneratori i dëshpërimit që po mban peng prej gati 8 muajsh forcën e vet politike, na tregoi edhe njëherë se nuk ka ndër mend t’u japë mundësitë deputetëve të përfaqësojnë me dinjitet në Parlament zgjedhësit e tyre”, - është shprehur Patozi, ndërsa komentoi vendimin e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Më pas ai njoftoi vendimin e PD-së për të festuar më 1 Maj. “Ne kemi ndër mend të festojmë më 1 Maj me një entuziazëm që Tirana nuk do ta ketë njohur ndonjëherë më parë. Duke ruajtur simbolikën e kësaj date, me këtë festë do të nderojmë punën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve, lajtmotivin e reformave të kësaj maxhorance, sukseset tona që na kanë bërë të jemi anëtarë të denjë të NATO-s, që po mundësojnë liberalizimin e vizave dhe po rrisin shpejtësinë drejt Bashkimit Europian”, - u shpreh Patozi.
Antimitingu
Në fakt, ky do të cilësohet si antimitingu i dytë i Partisë Demokratike. I pari është organizuar më 8 dhjetor, vetëm një ditë pas organizimit të protestës madhështore të Partisë Socialiste në Tiranë. Megjithëse kryeministri Berisha e ka hedhur poshtë cilësimin antimiting atë të datës 8 dhjetor, shumë mendojnë se i tillë ishte. Kjo për faktin se mbajtja e mitingut të datës 8 dhjetor u njoftua nga kreu i PD-së vetëm një ditë pas protestës treditore që organizoi PS-ja në kryeqytet përpara selisë së Kryeministrisë. Protesta e PS-së u komentua gjatë për masivizimin e saj. Madje burimet bënë të ditur se as vetë drejtuesit e Partisë Socialiste nuk e prisnin që kjo protestë të ishte kaq e madhe. Pikërisht fakti që Berisha e njoftoi mbajtjen e mitingut të PD-së një ditë pas protestës së PS-së nxiti cilësimin e tij si antimiting. Një tjetër arsye është edhe fakti që përpara datës 8 pritet që socialistët të zhvillojnë një tjetër protestë, po aq masive se e para. Burimet theksojnë se qëllimi i Berishës për të bërë miting është që t’i kthejë përgjigje Ramës në të njëjtën monedhë, duke matur forcat dhe mbështetjen me njerëz në shesh.

Çfarë është dita e 1 Majit

1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve që përkujton protestën e organizuar nga punëtorët e “Haymarket” në shtetin e Çikagos në SHBA në vitin 1886. Policia e Çikagos hapi zjarr ndaj grevistëve që protestonin për vendosjen e tetorëshit në punë, duke vrarë shumë demonstrues. Më pas, më 1889-n, në Kongresin e parë që u mblodh në Paris, u miratua propozimi i Raymond Lavigne për ta përkujtuar 1 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›