E Diel, 1 Nëntor 2026

“Befasia”, bllokohen 180 kg marijuanë, dy në pranga dhe tre në kërkim

Harilaos Loli dhe Mirel Ademi po transportonin drogën për në Sarandë

GJIROKASTËR – Vetëm disa ditë pas konferencës të zhvilluar në Gjirokastër për ndalimin e trafikut të lëndëve narkotike, bllokohen 180 kilogramë marijunanë në dalje të Lazaratit, me destinacion përfundimtar Italinë. Policia e këtij qyteti njofton se ka vënë në pranga dy persona që ishin transportuesit e saj, përkatësisht Harilaos Lolin dhe Mirel Ademin, ndërsa ka shpallur në kërkim tre persona të tjerë.

Operacioni “Befasia”
Sipas njoftimit të policisë mësohet se më datë 26.03.2010, rreth orës 23:30, është marrë informacioni se dy shtetas nga fshati Lazarat po transportonin me kafshë transporti një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike marijuanë në drejtim të malit Sopot, me destinacion Sarandën dhe më pas Italinë. Mbi bazën e këtij informacioni rezultonte se një pjesë e rrugës do të kryhej me kafshë transporti dhe më pas ngarkesa, pasi të arrinte në malin Sopot dhe konkretisht te vendi i quajtur Antenat, do të merrej nga dy shtetas nga Delvina.
“Menjëherë nga ana e specialistëve të Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër është organizuar dhe zhvilluar një operacion i koduar ”Befasia”, për goditjen e këtij trafiku të lëndëve narkotike”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Gjirokastrës.
Rreth 200 metra poshtë antenave në rrugën automobilistike që lidh fshatin Varfaj me Antenat në malin e Sopotit, në kodrën e këtij mali është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i Harilaos Lolit, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Varfaj të rrethit Delvinë, si dhe Mirel Ademi, 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Varfaj të rrethit Delvinë.

Hetimet
Menjëherë për këtë ngjarje është ngritur një grup hetimor, i cili ka nisur të mbledhë të dhëna lidhur me destinacionin e kësaj sasie droge dhe mbi personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik.
Sipas hetimeve paraprake rezulton se këta shtetas me automjetin tip “Benz” me targa DL 23 37 A, i cili drejtohej nga Harilaos Loli, po transportonin ngarkesën me lëndë narkotike marijuanë në drejtim të Sarandës, të cilën e kishin marrë nga dy shtetas nga fshati Lazarat disa minuta më parë, te vendi i quajtur Antenat, të cilët janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia.
Nga kontrolli i ushtruar në brendësi të automjetit rezultoi se në bagazhin e këtij mjeti dhe në sediljen e pasme të cilën e kishin hequr, kishte 132 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë të ndryshme, si dhe një thes plastmasi, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të llojit marijuanë, gjithsej rreth 180 kilogramë.
Pas arrestimit të dy personave për veprën penale të ”të trafikut të lëndëve narkotike” është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve nga fshati Lazarat, që transportuan lëndën narkotike me kafshë transporti në drejtim të antenave në malin Sopot, si dhe e një shtetasi nga Saranda, i cili ishte pritësi i ngarkesës.

Në një muaj sekuestrohen 1153 kg lëndë narkotike

Vendi Data Sasia

Gjirokastër 27 mars 180 kg marijuanë

Gjirokastër 23 mars 130 kg marijuanë

Igumenicë 22 mars 137 kg Cannabis sativa

Sarandë 21 mars 100 kg Cannabis sativa

Sarandë 13 mars 676 kg Cannabis sativa

Shkodër 5 mars 35 kg Cannabis sativa

Gjirokastër 21 shkurt 75 kg marijuanë

Humb jetën aksidentalisht 21-vjeçari

RRËSHEN - Një 21-vjeçar ka humbur jetën pas vetëplagosjes aksidentale. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Kodër-Rrëshen. Sipas dëshmive nga të afërm të tij, i riu Rudolf Kola u vetëplagos teksa po pastronte një armë zjarri tip pistoletë, të cilën e dispononte pa leje në banesë.
Shkrepja aksidentale e armës i ka shkaktuar atij plagosje të rëndë, ndërsa të afërmit e dërguan menjëherë në spitalin rajonal. Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të 21-vjeçarit ka bërë që ai të dërgohej me helikopter drejt Spitalit Ushtarak të kryeqytetit.
Mësohet se në momentin kur ai ka zbritur nga helikopteri nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve dhe ka humbur jetën. Ndërkaq vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›