Otranto, 13 vjet pa destinacion
Thimi Samarxhiu
Kaluan plot 13 vite nga tragjedia e Otrantos, por ende dhimbja nuk është shuar te familjet e 84 personave që humbën jetën tragjikisht në këtë ngjarje. Ishte viti i mbrapsht ’97 kur Shqipëria u kthye në një “çmendinë me dyer të hapura”. Njerëz të armatosur kudo; fëmijë që, në vend të makinave, luanin me bomba; të rinj që kërkonin një jetë më të mirë, por që u bënë “miq” me fundin e detit. Vlora e Flamurit u shndërrua në një fushë beteje, ku krismat, shpërthimet dhe vrasjet ishin kryefjala e ditës. Njerëzit, me të katra kërkonin të iknin sa më parë nga ky vend që veç dhimbje po u sillte. Deti ishte i vetmi shpëtim i tyre. Gomone, peshkarexha, varka dhe anije niseshin çdo ditë nga ujërat e Vlorës, me destinacion “Tokën e Premtuar”, Italinë.
Një ditë e keqe
Më 28 mars, anija “Kateri i Radës”, me 120 veta në bord, ku mes tyre shumë gra e fëmijë, u nis drejt Italisë, por… për të mos arritur kurrë atje. Sapo kishte hyrë në ujërat territoriale italiane, te kanali i Otrantos, anija luftarake “Sibilla”, në përpjekje për të ndaluar zbarkimin e 120 klandestinëve në Itali, ndërpret ëndrrat e 84 personave duke i dërguar ata në fund të detit. Një goditje e vetme në mesin e anijes dhe… gjithçka përfundoi.
“Kateri i Radës” filloi të fundosej, duke marrë me vete burra, gra e fëmijë. Britmat, thirrjet dhe lotët e atyre që nuk mundën të shpëtonin ushtojnë ende edhe sot te kanali i Otrantos. Pas kësaj tragjedie pati një sërë polemikash në shtetin italian, pasi nuk u mor vesh se kush e dha urdhrin për goditjen e anijes civile. Kryeministri italian i asaj kohe, Romano Prodi, asnjëherë nuk e përmendi se kush e kishte dhënë atë urdhër ogurzi. Edhe pse përgjegjësia ishte shumë e madhe, kapiteni i anijes luftarake italiane “Sibilla” u dënua me vetëm tri vite burg, ndërsa kapiteni i anijes së tragjedisë, Namik Xhaferri, u dënua me katër vite burg. Dënime këto qesharake po të marrësh parasysh faktin që në atë tragjedi humbën jetën 84 persona. Pas tragjedisë, vetëm një pjesë e trupave u gjet, afro 52 viktima. Disa të tjerë u gjetën në nëntor 1997, kurse shumë të tjerë ende edhe sot janë në fund të detit.
Krim pa ndëshkim
Përgjegjësit e vërtetë të kësaj tragjedie janë të shumtë, duke filluar që nga shteti ynë, i cili në atë kohë nuk kryente asnjë funksion dhe nuk mbronte dot as jetën e qytetarëve të tij. Ky mosreagim i shtetit për ta qetësuar situatën që ishte krijuar atë vit, solli edhe këtë tragjedi. Gjithashtu, një peshë të fajit e ka edhe shteti italian, ushtarakët e të cilit morën vendimin më absurd, goditjen e një anijeje civile. Këta njerëz nuk ishin as kriminelë, as ushtarë të një ushtrie armike. Ishin njerëz, si ata që kërkonin një jetë më të mirë, por që ëndrra e tyre u venit në fund të detit. Ende ka plot mistere mbi këtë tragjedi, të cilat besohet se janë fundosur bashkë me viktimat e saj dhe që s’kanë për t’u zbuluar kurrë. Kush e dha urdhrin? Cili ishte roli i shtetit shqiptar në këtë ngjarje? Kush e rrëmbeu anijen? Këto dhe një sërë pyetjesh të tjera janë ende në mendjet e atyre personave që arritën të shpëtonin.
Koha që vajton
Në atë anije ishte e gjithë Shqipëria: vlonjatë, fierakë, lushnjarë, beratas, dibranë, pukjanë, mirditorë, por edhe shumë banorë nga qytete të tjera; të gjithë këta ishin në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. Shqipëria ishte e gjitha në një anije, e cila çante me forcë detin, për të prekur sa më parë tokën italiane. Çdokujt i kujtohet nxjerrja e një pjese të trupave nga deti dhe sjellja e tyre në Shqipëri. Atë ditë deti ishte më i egër se kurrë dhe shiu shoqëroi çdo lëvizje të kortezhit mortor. Nga të vjetrit dëgjoheshin fjalët se “edhe koha i qan bijtë tanë”. Dikush tjetër, në heshtje dhe me lot në sy, thoshte: “Deti nuk do t’i lëshojë trupat, prandaj egërsohet”. Shprehje këto të mbetura prej kohësh, por që në atë rast u vërtetuan, pasi egërsia e detit dhe dallgët e tij të mëdha nuk ishin parë kurrë deri më atë ditë. Shiu, që nuk pushoi për asnjë moment, u përkthye si lotët e kohës për viktimat e pafajshme.
Imazhe që nuk harrohen
Vetëm dy ditë më parë, në një media u shfaqën për të parën herë pamjet filmike të momentit të goditjes së anijes “Kateri i Radës” nga anija italiane “Sibilla”. Një nga të mbijetuarit e tragjedisë përshkroi dhe njëherë momentin e goditjes fatale. "Rreth orës pesë e gjysmë ka ardhur kjo anije, filloi të bënte manovra të rrezikshme, na u afrua shumë. Një marinar i anijes italiane ‘Sibilla’ kishte drejtuar mitralozin ndaj anijes sonë. Në mënyrë absurde shikojmë majën e anijes italiane të na vinte mbi kokë. Punë sekondash dhe anija jonë kthehet e qëndron rreth tetë-nëntë minuta e batuar nën ujë. Disa kërkonin ndihmë, disa ulërinin, diku shikoja trupa të mbytur. Anija italiania na la për rreth 30 minuta në atë ujë të ftohtë dimri, italianët nuk lëshuan fare shkallën e ndihmës së shpejtë, lëshonin disa litarë por kur njerëzit kapeshim i shtynin me këmbë që të binin në det".
Sikur...
Pas 13 vitesh të qarat e foshnjave do të ishin shndërruar sot në lot të rinjsh. Dashuritë e adoleshentëve do të ishin shndërruar në martesa me shumë fëmijë. Hallet e më të moshuarve do të ishin shndërruar në thinja të bardha në kokë, por… Ëndrrat mbetën veç ëndrra dhe nuk e gjetën dot kurrë rrugën e realizimit. Deti tashmë i zotëron ato!
PERSONAT QË HUMBËN JETËN
1. Zeqine Fejzaj 61 Vjeç
2. Zonja Fejzaj 36 Vjeç
3. Blerina Fejzaj 8 Vjeç
4. Mihal Fejzaj 60 Vjeç
5. Fatos Fejzaj 39 Vjeç
6. Ronald Fejzaj 14 Vjeç
7. Oltion Fejzaj 13 Vjeç
8. Mimoza Xhavara 32 Vjeç
9. Kamela Xhavara 9 Vjeç
10. MAJLINDA XHAVARA 4 Vjeç
11. Desantila Xhavara 24 Vjeç
12. Firdesa Xhavara 1 Vjeç
13. Gerard Xhavara 4 Vjeç
14. Majlinda Roshi 38 Vjeç
15. Qemal Roshi 38 Vjeç
16. Ronald Roshi 2 Vjeç
17. Pushime Meminaj 60 Vjeç
18. Donika Idrizi 40 Vjeç
19. Elona Idrizi 14 Vjeç
20. Semiranda Idrizi 11 Vjeç
21. Romeo Andrea 28 Vjeç
22. Silvana Andrea 18 Vjeç
23. Kristina Andrea 2 Vjeç
24. Bardhyl Lame 37 Vjeç
25. Tushe Lame 38 Vjeç
26. Artuela Lame 35 Vjeç
27. Kasiani Bestrova 6 Vjeç
28. Viktore Bestrova 9 Vjeç
29. Kostandin Bestrova 2 Vjeç
30. Anife Bejkotare 41 Vjeç
31. Rezart Bejkotare 12 Vjeç
32. Erald Bejkotare 13 Vjeç
33. Zeman Avdia 37 Vjeç
34. Nertil Avdia 11 Vjeç
35. Olsi Avdia 6 Vjeç
36. Irma Greko 21 Vjeç
37. Kristi Greko 3 Muajsh
38. Bardhosh Deliaj 46 Vjeç
39. Burbuqe Deliaj 45 Vjeç
40. Melpo Sejdiaj 46 Vjeç
41. Haneme Birce 41 Vjeç
42. Besmir Birce 9 Vjeç
43. Lavdosh Kaja 22 Vjeç
44. Robert Barjami 19 Vjeç
45. Miklovan Troqe 17 Vjeç
46. Anastas Merkuri 30 Vjeç
47. Lindita Demiri 12 Vjeç
48. Bektash Tahiri 47 Vjeç
49. Andi Aliaj 17 Vjeç
50. Teferi Saliu 48 Vjeç
51. Lirim Bulla 17 Vjeç
52. Zini Muca 27 Vjeç
53. Ermal Xhaka 18 Vjeç
54. Fatmir Geraj 28 Vjeç
55. Kastriot Sharraj 36 Vjeç
56. Perparim Mamanaj 13 Vjeç
57. Zylyma Sulejmani 22 Vjeç
58. Krenar Sulejmani 27 Vjeç
59. Alban Sulejmani 4 Vjeç
60. Mirand Kacuku 28 Vjeç
61. Kozeta Sulo 21 Vjeç
62. Klodian Sulo 2 Vjeç
63. Fiqiri Sulaj 30 Vjeç
64. Ervin Sula 15 Vjeç
65. Latif Berberi 53 Vjeç
66. Maze Seferaj 31 Vjeç
67. Brunilda Seferaj 25 Vjeç
68. Davit Seferaj 1 Muajsh
69. Vjollca Kacupi 22 Vjeç
70. Albana Botrova 22 Vjeç
71. Merita Ferko 32 Vjeç
72. Bledar Ferko 10 Vjeç
73. Fredi Ferko 8 Vjeç
74. Viktori Kacupaj 25 Vjeç
75. Robert Llanaj 30 Vjeç
76. Kastriot Hasanbashaj27 Vjeç
77. Klorida Hasanbashaj 24 Vjeç
78. Xhuljana Hasanbashaj3 Vjeç
79. Ilir Kicja 34 Vjeç
80. Mariglen Bardha 16 Vjeç
81. Fatbardha Sejdiaj 21 Vjeç
29 Mars 2010