E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një 13-vjeçar ther me thikë nxënësin në shkollë

Autori i Lajmit: red.
Një 13-vjeçar ka plagosur me thikë një bashkëmoshatarin e tij, nxënës në shkollën 9-vjeçare në Fier. Gjithçka ka ndodhur në oborrin ë shkollës “Andon Xoxa” dhe sherri mes bashkëmoshatarëve ka nisur pas një grindjeje banale. Në kohën që ka ndodhur ngjarja, në oborrin e shkollës kanë qenë shumë nxënës, të cilët të traumatizuar kanë njoftuar mësuesit e më pas këta të fundit policinë. Djali i plagosur është transportuar për në spital ku, fatmirësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja
Një krim i rëndë, që ka si autor një minoren, ka ndodhur dje në mesditë në qytetin e Fierit. Një 13-vjeçar ka qëlluar me thikë një moshatar në ambientet e shkollës ku nxënësi mësonte. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në shkollën 9-vjeçare “Andon Xoxa” pas sherrit për lojën e futbollit që po luanin në kalceton e shkollës. Njëri nga të miturit me inciale A.M, ka nxjerrë një thikë që kishte me vete dhe ka goditur bashkëmoshatarin e tij me iniciale E.M. Si pasojë, nxënësi është plagosur rëndë. Të alarmuar nxënësit kanë lajmëruar mësuesit dhe këta të fundit njoftuan policinë për rastin e rëndë. E.M është dërguar me urgjencë në spital ku ndodhet në repartin e reaminacionit dhe mjekët thonë se ka dalë jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet
Burime nga policia bëjnë të ditur se është marrë në pyetje nga psikologët 13- vjeçari A.M, që konsiderohet si autor i ngjarjes. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ai është shoqëruar në polici në prani të prindwrve të tij, ndërkohë që janë marrë edhe dëshmitë e nxënësve që ndodheshin të pranishëm në vendin e ngjarjes në kohën që ndodhi incidenti. Ata, të traumatizuar, kanë pohuar për policinë në prani të psikoleges se djemtw njiheshin më parë dhe janë zënë për lojën.

Drejtori i shkollës: “Duam polic për sigurinë”
Drejtori i shkollës, Resmi Kalemi, nuk ka pranuar të sqarojë situatën e rëndë në shkollë. Por mësohet se ai ka kërkuar polic për sigurinë dhe shmagien e incidenteve të tilla në shkollë. Mësohet se ai është shprehur se 13- vjeçari, autor i ngjarjes, nuk ishte nxënës i shkollës, dhe se drejtoria do të kërkojë praninë e policisë në ambientet e shkollës pas kësaj ngjarjeje.

Adoleshentët përfshihen në krime
Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar tri ngjarje të rënda që kanë për protagonistë adoleshentë. Në Tiranë dhe Durrës brenda pak orësh adoleshentë të moshës 14-15 vjeç janë bërë autorë të dy krimeve makabre të realizuara me armë të ftohta. Një 14-vjeçar në periferi të Tiranës vrau me thikë vëllanw e tij 23-vjeçar pas një grindjeje që pati me të atin. Kurse në zonën e plazhit të Durrësit, një minoren 15-vjeçar i preu me thikë fytin një shitëseje, pasi kjo e fundit nuk pranoi t i jepte artikuj falas. Ngjarja tronditëse pason dy ngjarje të ndodhura disa orë më parë në Durrës e Tiranë, ku autorët kanë qenë po minorenë që kanë përdorur për krime, thikat.

Ky lajm është publikuar: 10/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›