Banda e Durrësit rishfaqet frikshëm me vrasjen e të tretit të Salive
Luan Kondi
DURRËS – Një ekzekutim mafioz trondit sërish qytetin bregdetar. Ariani, i treti i familjes Saliu, është vrarë nga breshëritë e armëve të dy personave me motor në Spitallë të Durrësit. Nga atentati ka mbetur i vrarë vëllai i Klodian Saliut, një prej eksponentëve kryesorë të bandës së Durrësit, ekzekutuar më 26 shkurt të vitit 2005. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe për larjen e hesapeve të vjetra. Vrasjet e vëllezërve Saliu, Shkëlqimit dhe Arianit, kanë pak më shumë se një vit diferencë. Më 23 korrik të viti 2007 u ekzekutua në të njëjtën mënyrë Shkëlqim Saliu, i cili ndodhej pranë lokalit të vet në Durrës.
Vrasja
Në njoftimin për shtyp të Policisë së Durrësit thuhet se “më datë 01.09.2008, rreth orës 18:10, në Lagjen Nr. 5 Durrës është vrarë me armë zjarri gjatë kohës kur udhëtonte me automjetin tip “Golf 5” me targa DE 566 BE, shtetasi Arian Saliu, 37 vjeç, i martuar, i dënuar më parë si dhe është plagosur shtetasi Denis Hoxha, 35 vjeç. I dëmtuari ndodhet në trajtim mjekësor në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën”. Arian Saliu u qëllua para lokalit të tij së bashku me Denis Hoxhën, nga persona të cilët ende nuk janë arrestuar, por që po kërkohen nga policia. Saliu është dërguar me urgjencë në spital në gjendje tepër të rëndë shëndetësore, por vetëm pak kohë më vonë ai ka humbur jetën. Ndërkohë, i plagosuri tjetër, Denis Hoxha, ka marrë plagë të lehta pa rrezik për jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:10, në zonën mes Drejtorisë së Policisë dhe lagjes “Spitallë”, ndërsa të dhënat paraprake tregojnë se Arian Saliu është qëlluar me një armë automatike. Viktima 37-vjeçar ishte duke zbritur nga makina ku ndodhej bashkë me një person tjetër, kur është qëlluar nga disa plumba. Ekspertiza tregoi se në trup i janë gjetur katër plumba, të cilat i kanë shkaktuar edhe vdekjen. Vetëm një vit më parë u ekzekutua një tjetër vëlla i Klodian Saliut, Ndriçim Saliu. Kilodian Saliu njihet si një nga miqtë dhe më pas armiqtë e Lulzim Berishës.
Larje hesapesh
Dyshohet që atentati ndaj të vëllait, Arianit, të jetë kryer nga anëtarë të tjerë të bandës që shijojnë lirinë. Po ashtu, i pranueshëm është edhe versioni i larjeve të hesapeve për mëri të vjetra. Konfliktet e vjetra të bandës Berisha-Saliu, që filloi të përçahet në momentin që Klodiani u burgos pasi u dyshua për vrasje, në vitin 2000. Në dëshminë e tij në prokurori Adriatik Coli, një prej pjesëtarëve të bandës së fraksionizuar të Klodian Saliut, shprehet se pikërisht në këtë kohë u zbehën marrëdhëniet mes tij dhe Indrit Dokles nga njëra anë dhe Lul Berishës e Indrit Taullaut nga ana tjetër. Po sipas tij, në kohën kur Plaurent Dervishi, kunati i Lulit, një nga më të kërkuarit e FBI-së dhe Interpolit Shqiptar, erdhi nga Amerika grupi i Berishës. Kjo, sipas tij, solli edhe vrasjen e Saliut, për të cilin pjesëtarët e grupit fillimisht u njoftuan se kishte bërë aksident në rrugë, por në vizitën e tyre në spital ata mësuan të vërtetën, se kishin të bënin me ekzekutim të pastër e për të cilin akuzoheshin anëtarët e grupit të Lul Berishës.
26 shkurt 2005
Vrasja e Klodian Saliut
29 - vjeçari Klodian Saliu, pronari i një lokali në bregdetin e Durrësit, gjeti vdekjen e menjëhershme nga plumbat e një pistolete, ndërsa shoku i tij mbeti i plagosur rëndë. Ekzekutimi mafioz u realizua mesnatën e 26 shkurtit, në autostradën Tiranë - Durrës, në afërsi të fshatit Kozhas në Maminas. Saliu, në momentin e atentatit ndaj tij, ishte duke udhëtuar me një automjet tip “Benz”, me targa të Durrësit. Ai u ekzekutua nga persona ende të paidentifikuar, që udhëtonin në një automjet tjetër. Në këtë atentat mbeti i plagosur dhe Osman Truma. Motivi i këtij krimi ishin larja e hesapeve të vjetra. Forcat e Policisë së Qarkullimit Rrugor të Durrësit kujtuan se kishin të bënin me një aksident, por më pas, kur Policia e Rendit kur po nxirrte trupat e viktimave nga makina e përmbysur, kuptuan se kishin të bënin me një vrasje të pastër. Nga automjeti u nxor trupi i pajetë i Klodian Saliut, i cili kishte marrë disa plumba, ndërsa shoku i tij, Osman Truma, kishte marrë një plumb në kofshë.
23 korrik 2007
Vritet Shkëlqim Saliu
Shkëlqim Saliu ka rënë pre e një atentati të mirorganizuar vetëm pak metra larg lokalit të tij, në qytetin e Durrësit. Dy persona me motor kanë hapur zjarr e duke lënë të vdekur në vend 42- vjeçarin nga Durrësi. Vrasja ka ndodhur rreth orës 23:00 të 23 korrikut të vitit 2007. Përveç Saliut plumbat plagosën edhe mikun e tij, Sterjo Xhani. Shkëlqim Saliu, vëllai i Klodian Saliut, ndodhej në lokalin e tij së bashku me Sterjo Xhanin. Ata ndodheshin në pjesën e pasme të lokalit, pronë e familjes Saliu, kur pranë tyre u afrua me shpejtësi një motor. Dy personat që ndodheshin në të kanë ulur shpejtësinë disa metra përpara tyre dhe pasi kanë nxjerrë dy armë, kanë nisur të qëllojnë pa pushim. Objektivi i atentatit ishte 42- vjeçari Shkëlqim Abedin Saliu. Dy atentatorët kanë kujtuar se gjithçka ka mbaruar dhe me shpejtësi janë larguar nga vendi i ngjarjes me motor.
2 Shtator 2008