Prokuroria do t’i bëjë ekspertizë dokumentacionit të pronave në disa zona të Tiranës
TIRANË - Dokumentacioni mbi disa prona apo troje, që mendohet se janë tjetërsuar në disa zona të Tiranës, do t’i nënshtrohet ekspertizës përkatëse për të parë nëse në këto raste ka falsifikim. Kjo u bë e ditur të hënën nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat pohuan se përmes kësaj procedure, grupi hetimor pritet të hedhë më tepër dritë për çështjen që ka për objekt hetimi tjetërsimin e pronave për qëllime përfitimi. Hetimet për abuzimet me pronat në disa zona të Tiranës kanë nisur pak ditë më parë, pas një sërë kallëzimesh të depozituara në Prokurorinë e Tiranës nga qytetarë të ndryshëm, të cilët pretendojnë se pasuritë e tyre të paluajtshme janë tjetërsuar. Bëhet fjalë për disa sipërfaqe tokash në komunat Farkë, Petrelë dhe Dajt, ku prokuroria po shqyrton dokumentacionin përkatës të tyre për të dalë në konkluzione përfundimtare për këtë çështje. Para një muaji, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet mbi tjetërsimin e disa pronave në komunën e Kasharit, duke e çuar dosjen për shqyrtim me 11 persona të pandehur dhe mes tyre edhe ish-drejtues të kësaj komune. Të pandehurit e dosjes “Kashari” akuzohen për shpërdorim detyre dhe tjetërsim të pronave, përmes falsifikimit të dokumentacionit të tyre, për arsye fitimi.
2 Shtator 2008