Rama, Gjinushi dhe Milo: Bashkohemi për të fituar zgjedhjet e 2009-s
Shaban Sulçe
Partia Socialiste, Partia Social Demokrate dhe Partia Demokracia Sociale e avancojnë edhe më shumë idenë e bashkëpunimit midis tyre. Kryetarët e tri partive në fjalë, Edi Rama, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo, kanë biseduar dje në një takim, i cili me sa duket ka rezultuar i frytshëm. Të paktën kjo është deklaruar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili theksoi se takimi i zhvilluar do të çojë të majtën drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2009. Megjithatë, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka qenë më i rezervuar teksa është pyetur nëse takimi i zhvilluar ka vulosur formimin e koalicionit të ri të së majtës. Ai tha se ende nuk është vendosur përfundimisht për koalicionin, por gjithsesi Milo deklaroi se PDS është e gatshme të kontribuojë në këtë bashkëpunim të ri që ka lindur midis saj, PS-së dhe PSD-së së Gjinushit.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se PS-ja po nxit një bashkim të ri, i cili do të çojë të majtën drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “S’ka asgjë të jashtëzakonshme, një takim krejt i zakonshëm, i cili do të na çojë drejt fitores së vitit 2009 dhe për të cilin ne socialistët dhe progresistët kërkojmë të shkojmë përtej kufijve të PS-së, përtej kufijve të partive ekzistuese, si një bashkim i ri, i cili do të jetë një bashkim i të gjithë qytetarëve që duan ndryshimin e vërtetë, ndryshimin e shumëpritur”, - tha Rama. I pyetur nëse e shihte të plotë koalicionin e së majtës me mungesën e LSI-së, Rama tha: “Bashkimi i ri përtej kufijve të partive është një bashkim përtej kufijve të politikës së vjetër. Një grupim i cilido qoftë dhe sado qoftë nuk mund të përcaktojë fatet historike dhe as rrugën e historisë së një vendi apo rrugën e politikës së re, që është politika e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit dhe jo për një grusht zanatçinjsh që quhen rëndom politikanë, po që rëndom i kanë krijuar Shqipërisë probleme dhe plagë. E kam thënë dhe e përsëris, Ilir Meta është miku im dhe jam i keqardhur teksa e shoh përditë e më të ngrefosur ndaj Partisë Socialiste”, - vijoi Rama.
Milo
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha se takimi i zhvilluar me Ramën dhe Gjinushin ka qenë në shërbim të idesë së bashkëpunimit të mëtejshëm të PDS-së me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokracia Sociale. Megjithatë theksoi se ende nuk është vendosur përfundimisht krijimi i koalicionit midis këtyre partive. “Ende nuk mund të flasim për krijimin e një koalicioni. Sot kemi pasur një takim miqësor, ku kemi shkëmbyer mendime rreth formulës së koalicionit të përbërë dhe rreth bashkëpunimit të mëtejshëm me PS-në për Kodin Zgjedhor dhe më gjerë, prandaj sot ne si PDS shprehim edhe një herë vullnetin për ta vazhduar këtë frymë bashkëpunimi. Pa përjashtuar as edhe partnerët e tjerë të së majtës, me të cilët, ashtu siç i kemi vazhduar takimet deri sot, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sepse rrugët për tu marrë vesh ende nuk janë mbyllur në mënyrë që edhe kolegët tanë të së majtës të mund të gjejnë formulën më të mirë të bashkëpunimit për të shkuar bashkë në zgjedhje”, - u shpreh Milo. Ai deklaroi se do të vazhdonte të takohej me liderin e LSI-së, Ilir Meta, në lidhje me këtë çështje.
Gjinushi
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, tha se sistemi i ri zgjedhor favorizon krijimin e koalicioneve. Ai deklaroi se PSD mbështet koalicionin e iniciuar nga PS-ja dhe i quajti të pakuptimta idetë kundërshtuese ndaj këtij koalicioni. “Është për t’u përshëndetur fakti që sistemi i ri zgjedhor nuk i pengon koalicionet, pra duhet kuptuar se kjo është "reja" pra nuk është se janë shpikur koalicionet, por çdo sistem demokratik e lejon bashkëpunimin e sinqertë dhe të ndershëm dhe të jesh kundër koalicioneve që japin një hapësirë për bashkëpunim është no sens politik, sepse çdo hapësirë që rrit bashkëpunimin që mundëson është demokratikë dhe pozitive. koalicionet që parashikon kodi zgjedhor janë të tilla që çdo parti mat forcat e veta dhe njëkohësisht jep kontributin që elektorati i majtë të jetë fitues”, - tha kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi.
2 Shtator 2008