PD-ja ngrin zgjedhjet në parti, ndryshimet pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor
Eljona Ballhysa
Demokratët janë në pritje të miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për të realizuar ristrukturimin e partisë. Burimet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike bëjnë të ditur se pikërisht ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë sjellë dhe ngrirjen e zgjedhjeve në degët e PD-së. Kjo për shkak se pritet që të ndryshojë statuti i partisë, duke u përshtatur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këtë e ka konfirmuar, një ditë më parë, deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Ai ka bërë të ditur se do të reduktohet numri i të zgjedhurve në parti, nga 100 në 12, kjo sipas numrit të qarqeve të parashikuara në proporcionalin rajonal. Deputeti demokrat ka deklaruar gjithashtu se procesi i zgjedhjeve brenda partisë nuk mund të shtyhet përtej këtij viti, për të mos mbivendosur dy fushata elektorale. Kjo do të thotë se zgjedhjet në PD, do të realizohen me procedurë të përshpejtuar për t’i paraprirë dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Ngrirja
Sipas burimeve, ka qenë vetë kryeministri Berisha, i cili ka kërkuar ngrirjen e zgjedhjeve në nivelin e kryetarëve të nëndegëve. Ai ka bërë të ditur se duhet më parë të realizohen ndryshimet në statutin e partisë në mënyrë që edhe organizimi i partisë t’i përshtatet ndryshimeve të reja në Kushtetutë siç është dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Sipas burimeve, ndryshimet e reja në statut pritet të sjellin dhe një skemë të re të organizimit të Partisë Demokratike. Pikërisht për këtë arsye janë bllokuar dhe zgjedhjet për postet e kryetarëve të nëndegëve. Për herë të parë në zgjedhjen e këtyre strukturave do të aplikohej parimi i votimit një anëtar një votë. Deputetët e PD-së bëjnë të ditur se aktualisht në degët e PD-së po punohet në drejtim të rinovimit të anëtarësisë dhe të verifikimit të saj, duke plotësuar dhe regjistrat ku mbahen lista e anëtarëve të degëve. Ndërkohë që po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet në seksione dhe grupseksione, të cilat janë strukturat e nivelit më të ulët të organizimit të PD-së.
Ndryshimet
Sipas burimeve nga PD –ja, në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar është hedhur dhe një ide për një skemë të re organizimi, e cila i përshtatet dhe sistemit të ri zgjedhor, proporcional rajonal. Skema e re parashikon zgjedhjen e vetëm 12 kryetarë degësh, të cilët do të jenë në nivel qarku. Vendosja e një kryetari dege të PD-së në nivel qarku pritet të sjellë më pak kryetarë nëndegësh, proces ky i cili do të sjellë reduktim të burokracisë, por gjithashtu dhe rritje të përgjegjësive. Këta kryetarë do të kenë përgjegjësi për organizimin e të gjithë strukturës së partisë në nivel qarku në rast të proceseve zgjedhore si parlamentare, ashtu dhe lokale. Nga ana tjetër, skema e re synon dhe largimin nga postet drejtuese të shumë kryetarëve të degëve të PD-së në rrethe. Burimet bëjnë të ditur se zgjedhjet në parti do të sjellin një fytyrë të re të PD-së përpara elektoratit, veçanërisht në qytetet kryesore. Por pritet që të mblidhet sërish Këshilli Kombëtar për të startuar këtë fushatë ndryshimesh në parti.
2 Shtator 2008