Mustafaj, kandidati favorit për postin e kryetarit të degës së Tiranës
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, është kandidati më i favorshëm për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike Tiranë. Kohët e fundit ai është piketuar qartazi si një kandidat potencial për këtë post me peshë në PD. Ai vetë ka ndërmarrë së fundi një fushatë takimesh me personalitete të rëndësishme për të fituar sa më shumë mbështetje. Vetëm pak ditë më parë Mustafaj është takuar me kreun e prezencës së OSBE-së në Tiranë, me të cilin ai ka biseduar për çështjet më të nxehta të politikës shqiptare. Mustafaj gjithashtu ka zhvilluar dhe një sërë takimesh me opinionistë dhe njerëz me peshë në fushën e medias. Prej kohësh Mustafaj ka qenë një ndër emrat më të lakuar për të fituar këtë post me peshë në Partinë Demokratike. Madje dhe vetë ish-miku i ngushtë e kryeministrit Berisha nuk e ka fshehur ambicien e tij për t’u bërë kryetar i degës më të madhe të PD-së. Takimet e Mustafajt përkojnë dhe me fillimin e fushatës zgjedhore brenda Partisë Demokratike. Mësohet se ish-ministri i Jashtëm do të përpiqet të mos ketë asnjë përplasje me Berishën. Ai do të futet në garë, pavarësisht konkurrentit që do të përcaktohet nga strukturat drejtuese të partisë. Mustafaj gjithashtu do të përpiqet që të mos jetë pjesë e skemave, të cilat zakonisht në PD kanë funksionuar me emërime personash që janë sa më afër kryetarit Berisha dhe jo me zgjedhje.
Mbështetësit e Topit do të kërkojnë përfaqësim në strukturat e partisë
Fushata zgjedhore që pritet të nisë në Partinë Demokratike ka filluar që tashmë të përvijëzojë lobingjet e para, që kërkojnë më tepër pushtet dhe përfaqësim në parti, por dhe në Kuvend. Ashtu sikurse është vënë në dukje, që me zgjedhjen e tij President të Republikës dhe me largimin nga posti i nënkryetarit të PD-së, Bamir Topi ka humbur terren në selinë blu. Po kështu, grupi i mbështetësve të tij aktualisht ka një pozicion në hije, si në qeveri, ashtu dhe në parti. Pothuajse ky grup politikanësh nuk është i përfaqësuar në postet drejtuese të Partisë Demokratike, ndërsa në kabinetin qeveritar mbështetësit e ish -nënkryetarit të partisë përfaqësohen vetëm me postin e ministrit të Mbrojtjes, i cili drejtohet nga Gazmend Oketa. Ky grupim pritet të kërkojë një përfaqësim më me peshë në kupolën e PD-së. Kështu, me ristrukturimin që pritet të pësojë partia gjatë këtij viti zgjedhor, burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se do të ketë një garë të vërtetë me kandidatë konkurrentë dhe jo vetëm me të emëruar në selinë blu, si për postet e nënkryetarëve, ashtu dhe për postet e sekretarëve.
Pragu i ulët në Tiranë, plas “lufta e bërrylave” brenda PD-së
Lista e kandidatëve në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e ardhshme 2009 duket se është kthyer në “mollën e sherrit” brenda partisë kryesore në pushtetit. Në Partinë Demokratike ka filluar lufta e brendshme, e cila pritet të marrë përmasa edhe më të mëdha përsa i përket garës për t’u përfshirë në listën e emrave të kandidatëve për deputetë që do të përcaktohen në zgjedhjet e ardhshme në qarkun e Tiranës. Për shkak se në këtë qark pragu elektoral është më i ulëti, vetëm 3.5%, të gjitha figurat kryesore të partisë në fjalë tashmë kanë filluar garën për të gjetur një vend në listën e kandidatëve për Tiranën në zgjedhjet e 2009-s. Në Partinë Demokratike pothuajse të gjithë ministrat e kabinetit “Berisha” do të kërkojnë që të zënë një vend sa më afër Berishës në listën për qarkun e Tiranës. Tirana duket se do të jetë “fushëbeteja” e të mëdhenjve të politikës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për vitin 2009. Edhe pse me numrin më të madh të votuesve, pragu i ulët elektoral, që nënkupton një numër jo të madh votash për të siguruar mandatin e deputetit, duket se do t’i shtyjë figurat kryesore të politikës për të kandiduar të parët në listë në qarkun e Tiranës. Sipas përllogaritjeve, me sistemin proporcional rajonal që do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme, qarku i Tiranës shënon pragun më të ulët elektoral, rreth 3.5%.
2 Shtator 2008