E Diel, 1 Nëntor 2026

Sesioni i ri parlamentar duket se do të nisë ashtu siç përfundoi. Bëhet fjalë për rikonfigurimin e grupeve parlamentare në Kuvend. Grupi më i ri parlamentar është “Grupi i qendrës”, i shpallur në fund



Shaban Sulçe
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka kundërshtuar ligjin “Për Prokurorinë” të propozuar së fundi nga maxhoranca. Meta e cilësoi këtë ligj si një plan të mbrapshtë të maxhorancës dhe kryeministrit Sali Berisha për të kapur institucionin e pavarur të Prokurorisë. Sipas kryetarit të LSI-së, një gjë e tillë ndodh pasi dobësimi i organit më të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, siç është Prokuroria, bëhet për të mbrojtur koracën korruptive që ka krijuar qeverisja e Berishës në të gjitha hallkat e saj. Meta i bëri thirrje të gjithë opozitës që të unifikojë qëndrimet e saj për të kundërshtuar këtë plan antikushtetues të maxhorancës. “Reforma në Drejtësi përbën dështimin e rëndë të radhës së qeverisë së Sali Berishës. Goditja që synohet ndaj pavarësisë së Prokurorisë është një tjetër konkretizim i filozofisë autoritariste dhe autokratike që kjo qeveri ka nisur që në natën e 21 prillit, kur u miratuan ndryshimet kushtetuese”, - deklaroi Meta.
Ligji “Për Prokurorinë”
Kryetari i LSI-së e kundërshtoi ligjin për Prokurorinë të propozuar nga maxhoranca, pasi të gjitha ndryshimet që tentohen në këtë ligj janë shprehje e agresionit të rëndë të qeverisë për të kapur institucionin e Prokurorisë. “Heqja e imunitetit të prokurorëve, shkarkimi nga detyra me fillimin e procedimit penal,
ndryshimi i varësisë së Policisë Gjyqësore, heqja e të drejtave të përfaqësuesit të presidentit në Këshillin e Prokurorisë dhe marrja e tyre nga përfaqësuesit e qeverisë, shmangia e qëllimtë nga procesi i mendimit ekspert dhe veçanërisht e Shoqatës së Prokurorëve dhe e trupave të tjera të specializuara juridike dhe të gjitha këto janë një agresion i rëndë për kapjen që kjo qeveri do t’u bëjë institucioneve të pavarura, veçanërisht atij gjyqësor”, - vijoi Meta. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për mosreagimet e qeverisë ndaj këshillave dhe vërejtjeve të vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për mënyrën se si duhet të reformohet sistemi i drejtësisë. “Shqetësuese është veçanërisht fakti se kjo qeveri nuk ka asnjë ndjeshmëri ndaj këshillave dhe vërejtjeve të vazhdueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë, të BE-së, SHBA-ve dhe OSBE-së, që tashmë po i bien fort kambanave të alarmit për qëllimet e mbrapshta uzurpuese të qeverisë ndaj Gjyqësorit”, - deklaroi kreu i LSI-së
Opozita
Lideri i LSI-së deklaroi se kryeministri Berisha nuk mund t’i japë vendit reforma për një sistem gjyqësor të pavarur e profesional. Ai shprehu gjithashtu mosbesimin se qeveria do të realizojë angazhimin e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore janë sfidë për të gjithë klasën politike të vendit dhe si të tilla nuk mund të realizohen si monopol i një force politike, dhe me një mungesë të theksuar të transparencës. Ato nuk e realizuan në asnjë element të tyre përpara ftesës për në NATO –gjë që ishte kërkuar prej partnerëve tanë – dhe me sa duket, nuk do të realizohen as gjatë kësaj legjislature, pavarësisht premtimeve të rreme të kryeministrit Berisha”, - vijoi Meta. Ai u bëri thirrje të gjitha partive parlamentare për të mbrojtur pavarësinë e sistemit gjyqësor. “Prandaj unë ftoj gjithë opozitën në një qëndrim të përbashkët, që të përdorë të gjitha mjetet parlamentare e ligjore në mbrojtje të pavarësisë të sistemi gjyqësor, që ai të mos uzurpohet nga revanshizmi i Sali Berishës”, - deklaroi kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Kundërshtimet e Metës për ligjin “Për Prokurorinë”

- Heqja e imunitetit të prokurorëve
- Shkarkimi nga detyra me fillimin e procedimit penal
- Ndryshimi i varësisë së policisë gjyqësore,
- Heqja e të drejtave të përfaqësuesit të presidentit në Këshillin e Prokurorisë dhe marrja e tyre nga përfaqësuesit e qeverisë,
- Shmangja e qëllimtë nga procesi i mendimit ekspert dhe veçanërisht e Shoqatës së Prokurorëve dhe e trupave të tjera të specializuara juridike

Të gjitha këto pika, kreu i LSI-së i ka cilësuar si shprehje të agresionit të qeverisë ndaj pavarësisë së Prokurorisë dhe të sistemit të drejtësisë.

Maxhoranca nuk ishte transparente për ligjin ndaj Prokurorisë

Kundërshtimi ndaj ligjit “Për Prokurorinë”, të propozuar nga maxhoranca, erdhi dy ditë më parë edhe nga selia rozë. Gjatë një prononcimi për shtyp, sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, shprehu pakënaqësinë për mungesën e transparencës së maxhorancës në lidhje me këtë ligj. “Ne e konceptojmë mënyrën e bashkëpunimit për të debatuar, diskutuar për një vizion të ri, për një reformë cilësore në sistemin e drejtësisë, një reformë që nuk mund të jetë produkt i numrave kushtetues, por të jetë produkt i debatit politik dhe profesional. E them këtë për shkak të faktit sepse është folur shumë për ligjin e Prokurorisë, për ndryshimet në këtë ligj, por për fat të keq nuk ka transparencë. Përveç kontributit që ka dhënë media në këtë gjë nuk asnjë kontribut të maxhorancës, qeverisë dhe ministrisë përkatëse. Që nga dita që ka filluar ky proces nuk ka qoftë edhe një deklarim publik se çfarë synon një deklarim i tillë, bëhet fjalë për një reformë thelbësore. Bëhet fjalë për të ndërhyrë në një institucion të rëndësishëm, të pavarur, siç është Prokuroria, sistemi i prokurorisë dhe jo thjesht prokurorja e Përgjithshme për ta bërë atë më efektiv në luftën ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Dhe kjo nuk duhet të jetë atribut i disa nëpunësve, por duhet të jetë kontribut i të gjitha forcave profesionale në Kuvend, duhet të jetë rrjedhojë e një konsultimi në radhë të parë me pushtetin gjyqësor me Prokurorinë dhe më gjerë”, - tha Xhafaj.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›