E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta kërkon korrektimin kombëtar, Rama në pozita refuzuese



Lëvizja Socialiste konfirmon edhe njëherë gatishmërinë e saj për të negociuar dhe dialoguar me ish-aleaten e saj, Partinë Socialiste. Nga ana tjetër, edhe kjo e fundit, kohët e fundit nuk ka hezituar të bëjë ftesa për bashkëpunim me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pavarësisht sinjaleve herë shpresëdhënëse dhe herë refuzuese, çelësi i hapjes së negociatave midis PS-së dhe LSI-së duket se është sanksionimi në Kodin e ri Zgjedhor të sistemit të korrektimit kombëtar të votave. Edhe dje kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi publikisht se pranonte të ulej në negociata dhe në bisedime me kryetarin e PS-së, Edi Rama, për të folur rreth reformës zgjedhore. Por Meta theksoi gjithashtu se arritja e marrëveshjes për korrektimin kombëtar të votave është shumë e rëndësishme që asnjë votë e së majtës të mos shkojë dëm. “Për çështjen e Kodit Zgjedhor ne jemi të hapur për të vazhduar komunikimin me të gjitha forcat e tjera politike dhe pa dyshim edhe me PS-në. Lidhur me shqetësimin për të mos lejuar që asnjë votë opozitare ndaj Sali Berishës të mos shkojë dëm, ka vetëm një alternativë, që është korrektimi kombëtar i votës së shqiptarëve. Vetëm kjo nuk e deformon votën dhe përfaqësimin e shqiptarëve”, - deklaroi Meta. Por, nga ana tjetër, Partia Socialiste duket se nuk e sheh me “sy të mirë” këtë kusht të rëndësishëm të vendosur nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Qëndrimi i PS-së është vetëm për aplikimin e thjeshtë të sistemit proporcional rajonal, që tashmë është sanksionuar në Kushtetutë. Madje selia rozë e konsideron propozimin e LSI-së si arnim dhe shpikje “alla shqiptare”. Kjo është deklaruar dje nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili tha se reforma zgjedhore është një detyrim i PS-së për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe jo për të kënaqur interesat e grupeve të caktuara politike. “Reforma zgjedhore për ne nuk është një mekanizëm për të përmbushur interesa të pjesshme, por është një proces për të transformuar një sistem të kalbur politik, për t’u dhënë mundësi qytetarëve të këtij vendi që të zgjedhin dhe subjekteve të konkurrojnë, dhe atyre që zgjidhen që të qeverisin. Në këtë sens të gjitha manovrat, paragjykimet apo gjykimet që bazohen në stereotipin e politikës së vjetër dhe të së shkuarës nuk na bëjnë asnjë përshtypje”, - tha Rama. Qëndrimi i PS-së ndaj korrektimit kombëtar u bë i ditur gjithashtu dy ditë më parë nga bashkëkryetari socialist për Komisionin Zgjedhor, Fatmir Xhafaj. “Ne, siç edhe e kemi thënë, e ritheksojmë se jemi të vendosur të kontribuojmë në këtë proces elektoral dhe veçanërisht në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor për të garantuar respektimin e frymës kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor të miratuar, sistem proporcional rajonal, si dhe implementimin e standardeve dhe rekomandimeve ndërkombëtare në formulimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ne e ritheksojmë përsëri me forcë se këtë reformë duam ta çojmë deri në fund, pa deformime dhe pa arnime tipike, siç janë bërë në të gjitha këto vite me kodet zgjedhore”, - është shprehur Xhafaj.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›