Banda e Durrësit, shtyhet gjyqi 76
Shtyrjet e seancave në procesin gjyqësor të "Bandës së Durrësit" tashmë janë bërë diçka e zakonshme. Megjithatë dje shtyrja e radhës, për mungesë të avokatit të Plarent Dervishajt, kunati i Lulzim Berishës, duket se ishte e pazakontë. Mosparaqitja e avokatëve u bë sërish dje shkak për shtyrjen e seancës së 76-të, në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Durrësit" te Krimet e Rënda. Palët në proces u përfshinë në replika të ndërsjella, kur njëri nga avokatët kishte justifikuar mungesën e tij me një raport mjekësor të lëshuar nga një mjeke pediatre (mjeke fëmijësh). Prokuroria kërkoi zëvendësimin e këtij avokati me një avokat kryesisht, si edhe njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore ndaj avokatëve të tjerë mungues në proces. Kryesuesi i trupës që gjykon këtë dosje, gjyqtari Gurali Brahimllari, rrëzoi kërkesën e organit të akuzës, për zëvendësimin e avokatit. "Gjykata e vlerëson të ligjshëm dhe konform rregullave raportin mjekësor, e paraqitur para gjykatës nga avokati Dashnor Mullai dhe e konsideron të justifikuar mungesën e tij në sallën e gjyqit", tha kryesuesi Brahimllari. Ndërsa për avokatët e tjerë që munguan, gjykata vendosi lajmërimin e ministrisë për marrjen e masave disiplinore ndaj tyre. Një seancë më parë, kryesuesi Brahimllari bëri me dije në sallën e gjyqit se ky proces po zvarritej në mënyrë të qëllimshme nga avokatët. Por deklarata e tij nuk i "trembi" aspak avokatët, të cilët vazhduan "avazin". Ajo çka shkaktoi debate madje edhe humor në seancë, ishte raporti mjekësor i paraqitur nga avokati. Ai është në moshë madhore ndërsa është justifikuar para gjykatës me një raport të firmosur nga një mjeke fëmijësh. Ky fakt shkaktoi debate në sallën e gjyqit ndërsa dështimi i seancës së djeshme, dështoi njëkohësisht pyetjen e "të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë", Adriatik Coli. Edhe pse i pranishëm në të gjitha seancat gjyqësore, gjykata nuk po njihet me dëshminë e tij, për shkak të shtyrjeve të njëpasnjëshme. Shoqërimi i të penduarit nga vendi sekret ku mbahet, për në sallën e gjyqit, bëhet në çdo seancë me supermasa sigurie. Nga burime të procesit konfirmohet se dëshmitari i mbrojtur shoqërohet nga më shumë se 50 efektiva speciale të policisë, të cilët lëvizin me mjete të ndryshme përfshi edhe një blind që shërben për zhvendosjen e Adriatik Colit. Prokuroria thotë se kjo ka një kosto të madhe për shtetin dhe se shtyrja e vazhdueshme e seancave është në kundërshtim me ligjin. a.b
Mungesa e avokatëve shtyn procesin
Anëtarët e "Bandës së Durrësit" po bëjnë më shumë se dy vjet që mbahen të arrestuar në qeli. Megjithatë procesi ndaj tyre nuk ka filluar ende, për shkak të mungesës së avokatëve. Numri i madh i mbrojtëse duket se ka krijuar mundësi që secili të mos shkojë me radhë në gjyq, pasi mungesa e njërit prej tyre bën të pamundur seancën. Që në fillim prokuroria ka kërkuar pyetjen e të penduarit të drejtësisë Adriatik Coli.