"Gruaja u vetëhelmua, nuk e vrava”
KRUJE - Sefedin Doçi, i akuzuar për mbytjen e bashkëshortes së tij dy vjet më parë, rrëfeu për herë të parë momentin e vdekjes së të shoqes. Para trupit gjykues në Krujë, ai mbrojti sërish dëshminë e tij se e shoqja, Fitnetja, u vetëhelmua. Ai ndodhet pas hekurave prej rreth 1 viti, pasi ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi se në trupin e nënës së re kishte shenja dhune. I pyetur nga gjyqtarët, Doçi ka pohuar mbi ditën e 13 gushtit të vitit 2007. Sipas tij, ai ishte kthyer në shtëpi duke i kërkuar gruas që t'i përgatiste drekën. "Ajo nuk pranoi, duke më kundërshtuar. Unë e qëllova me pëllëmbë. Pasi më shtroi bukën u largua, duke thënë se do të merrej me vajzat e vogla. Pak më vonë dëgjova një të bërtitur nga dhoma e gjumit. Shkova aty e pashë bashkëshorten në krevat, e cila nuk mund të fliste. Thirra vëllain me të shoqen, si dhe mjekun e fshatit Laim Bushi, për të më ardhur në ndihmë. Mjeku i bëri dy gjilpëra dhe u nisëm me urgjencë drejt spitalit të Tiranës", pohoi dje Sefedin Doçi. Ai ka vazhduar rrëfimin, duke treguar se rrugës konstatuan vdekjen e Fitnetes. .Në fund të dëshmisë së tij, Doçi ka deklaruar dhe njëherë pafajësinë, duke e konsideruar ngjarjen vetëvrasje. Çështja e vdekjes së Fitnete Doçit u rikthye për hetim nga policia, pasi familjarët e saj këmbëngulën, duke pohuar se në trupin e saj kishte shenja dhune. Pas ekspertizës së kryer rezultoi se në qafë dalloheshin gjurmë gishtash, që provonin mbytjen e saj. r.n