E Diel, 1 Nëntor 2026

Kilica: Enver Hoxha ka pozuar në studion e Mios

 

Alma Mile

Sapo ngjit shkallët e brendshme të Galerisë së Arteve, që të çojnë në seksionin "Piktura Akademike dhe tablo me temë historike" (1950-1986), e para që të bie në sy është një tablo e përmasave të mëdha. Në qendër është ish-diktatori Enver Hoxha. I veshur me uniformën ushtarake, me dorën e ngritur në strehën e kapelës, teksa përshëndet njerëzit e ekzaltuar që e rrethojnë. Pas tij vijnë figura të njohura të kohës, Omer Nishani, Gogo Nushi, Hysni Kapo, Myslym Peza, Baba Faja Martaneshi. Titullohet "Shpallja e Republikës", vepër e piktorit Vilson Kilica. E realizuar me porosi, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, për të zëvendësuar veprën me të njëjtin titull të Fatmir Haxhiut, e cila vendosej në ambientet e Presidiumit të Kuvendit popullor. Pranë saj është një tjetër pikturë e Kilicës, ku paraqitet sërish ish-diktatori, por kësaj here në moshë më të re, teksa pozon në studion e piktorit Vangjush Mio në Korçë. Piktori Vilson Kilica, edhe pse i pakënaqur që këto dy punë të tij janë ekspozuar në muze, pasi për të ato nuk janë "më përfaqësueset" në krijimtarinë e tij, tregon historinë e këtyre veprave, të cilat nuk ekspozoheshin prej rënies së diktaturës.
Z. Kilica, sapo është hapur linja muzeale e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe mes veprave të ekspozuara janë dhe disa tuajat, ç'mendoni për përzgjedhjen e tyre?
Unë nuk isha dakord që në muzeun e Galerisë Kombëtare të Arteve të viheshin këto dy punë të miat. Nuk mendoj se janë pikërisht këto vepra të porositura, ato që përfaqësojnë veprën time. E kam biseduar këtë edhe me drejtorin e GKA-së, Rubens Shima. Do të kisha dashur që të vendosej për shembull "Gjyqi i Sinjës", një vepër të cilën unë e kam punuar në Fier me shumë dashuri dhe për një kohë të gjatë. Edhe pse këto vepra janë pronë e galerisë, ato mbeten pronë shpirtërore e artistit, e autorit, që i ka realizuar. Megjithatë edhe këto dy vepra janë të miat. Historia është histori dhe ne nuk mund ta zhbëjmë atë.
Përmendët veprat e "porositura", me këtë doni të thoni se dy pikturat, që kanë në qendër figurën e diktatorit, janë realizuar me porosi të udhëheqësve të kohës?
Po, tabloja "Shpallja e Republikës", e cila u vendos në ambientet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, u porosit me urgjencë. Më parë aty ishte vendosur një tablo e piktorit Fatmir Haxhiu (1976), me këtë temë, por që u hoq, për shkak se ndër figurat e larta, ishte edhe Mehmet Shehu. Pas vetëvrasjes (apo vrasjes) së tij, që do të thotë pas vitit 1981, mu kërkua që të realizoja një tjetër vepër mbi këtë temë.
Edhe piktura "Në studio" (1979) është e tillë?
Nuk mund të them se është tërësisht e porositur. Ajo është një insinuatë, nisur nga fakti që Enver Hoxha, kur ishte i ri ka pasur njohje me piktorin Vangjush Mio, madje gjatë kohës së Liceut në Korçë, di se ai edhe ka pozuar në studion e Mios. Për të realizuar këtë vepër, aso kohe, shfrytëzova edhe disa materiale, që mu vunë në dispozicion nga familja e piktorit. Duhet thënë se koha ishte e tillë, atëherë. Realizuam vepra intime, peizazhe, por edhe portrete udhëheqësish…
Gjithsesi duhet thënë se janë vepra të arrira, pasi portreti i diktatorit, ishte vështirë të "qëllohej"…
Ah, këtë ma kanë thënë edhe shumë të tjerë… Do të shkoj t'i shoh për të "rivlerësuar" punën time. Sepse ndonjëherë edhe vetë autorit i duhet një lloj distance kohore, një shkëputje nga vepra, për të kuptuar atë që ka bërë. Kështu që pas një periudhe të gjatë që nuk i kam parë, do të shkoj t'i shoh si publik i thjeshtë.
Në seksionin e pikturës "foraliste", është një tjetër pikturë e juaja, e titulluar "Brigadieret", cila është historia e saj?
Ai është një frymëzim i kohëve kur punoja në Fier. Është një vepër e vitit 1972. Sigurisht emrin vepra nuk e ka "Brigadieret", kështu u pëlqye të quhej atëherë. Ato janë vajza fshati që ecnin me biçikleta. Më pëlqenin t'i shihja kur vraponin, drejt fushave dhe era u merrte fustanet. E dilja i shihja nga rruga e trenit…

Historia e pikturës, në 200 punë
Janë gati 200 punë, 178 piktura dhe 20 skulptura. Shumë syresh të paekspozuara më parë, apo të dala nga fondi pas shumë vitesh. Galeria Kombëtare e Arteve përuroi dje linjën muzeale. Janë ngritur 6 seksione, të cilat nuk emërtohen më si dikur dhe përzgjedhja nuk i përket të njëjtave kritere. Kuratori i kësaj, linje, njëkohësisht drejtori i GKA-së, Rubens Shima, i është përmbajtur një koncepti të ri, i cili nis me fillesat e pikturës shqiptare, apo "pikturën e qytetit", për të arritur deri tek periudha moderniste, ku përveç veprave të pas '90-ës janë vendosur edhe të tjera që datojnë qysh në vitet '60-'70, por që shfaqin shenja të qarta modernizmi. Megjithatë, sipas Shimës, këto seksione janë të hapura, për rifreskim punësh. Këtij koncepti të ri i përgjigjet edhe infrastruktura e godinës, e cila pas rikonstruksionit ka nxjerrë në pah vlerat e vërteta arkitekturore. Në të gjitha sallat është rikonstruktuar sistemi i ndriçimit, janë rrashinuar parketet, janë lyer, janë vendosur kondicionerë të rinj. Ndërkaq, shumë punë janë restauruar dhe shumica e punëve të ekspozuara janë pajisur me korniza të reja. Nëpër kate janë vendosur edhe tabelat udhëzuese që u tregojnë vizitorëve seksionet përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›