Orët e dorëheqjes së Kolës nga Tirana
ADRIATIK BALLA
Trajneri i Tiranës, Agustin Kola, ka dhënë dje dorë-heqjen nga drejtimi i skuadrës bardheblu, duke lënë shumë enigma pas. Në të vërtetë dorëheqja e trajnerit ishte paralajmëruar që pas humbjes në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit dy ditë më parë, por u bë zyrtare vetëm dje paradite, gjatë seancës stërvitore në prani të ekipit. Dorëheqja u përfol që gjatë kthimit të ekipit nga Durrësi, ku ishte përhapur fjala në radhët e lojtarëve se tekniku nuk kishte ndërmend më të qëndronte në krye të skuadrës, nisur edhe nga fakti se në ambientin e bardhebluve ai nuk po gjente më rehatinë e duhur.
Reagimi
Por thashethemeve të përhapura në radhët e grupit dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit teknik u vuri kapakun dje vonë kryedonatori Refik Halili, i cili konfirmoi se Kola do të qëndrojë në krye të skuadrës dhe se nuk ka arsye që ai të dorëhiqej, apo të largohej. Me pak fjalë, donatori bardheblu i dha mundësinë Kolës të vazhdonte të qëndronte në krye të ekipit, duke u shfaqur dhe optimist për të në krye të skuadrës për javët e mbetura të kampionatit. Madje, vetë lojtarët në orët e vona të mbrëmjes ishin të paqartë se si do të ecnin punët pas humbjes me Flamurtarin. Shumica e tyre kishin dëgjuar pëshpërima për një largim të mundshëm të teknikut, por askush prej tyre nuk pranonte që të kishte dëgjuar ndonjë gjë rreth kësaj çështjeje. Pas një reflektimi të gjatë, heshtja ka zgjatur vetëm pak, pasi vetë Kola ka lajmëruar ekipin për një seancë stërvitore paraditen e djeshme, duke lënë të kuptuar te të gjithë se gjithçka ishte në normalitet.
Dorëheqja
Mirëpo skuadra është befasuar dje kur para tyre, me një gjakftohtësi të paimagjinueshme, tekniku i ka falënderuar ata për bashkëpunimin dhe ka deklaruar zyrtarisht dorëheqjen. Më pas është larguar dhe skuadrës i është komunikuar se nuk do të bënte stërvitje pasdite, por vetëm sot paradite në orën 11:00 në "Skënder Halili". Me pak fjalë, mjaftoi një humbje në finalen e Kupës së Shqipërisë që tekniku, dikur një emër i madh i futbollit bardheblu dhe atij kombëtar, të heqë dorë nga drejtimi i skuadrës. Vetë ai ka deklaruar më pas se dorëheqja kishte qenë një veprim i menduar, nisur edhe nga fakti se ai kishte dështuar në fitimin e Kupës së Shqipërisë, një objektiv i shpallur me bujë që në fillim të ardhjes së tij. "Ky ka qenë një nga trofetë që unë kisha planifikuar ta fitoja, por nuk ia arrita", mësohet të ketë thënë Kola. Ndërkohë, në skuadër vazhdon të komentohet në mënyra të ndryshme dorëheqja e teknikut 50-vjeçar.
Rrezikon titullin
Pas humbjes së Kupës së Shqipërisë, Tirana rrezikon seriozisht edhe titullin kampion, kur mbeten për t'u luajtur edhe tri javë deri në përfundimin e kampionatit. Frika kushtëzohet nga një sërë treguesish, por është evident morali i rënë i skuadrës dhe pasiguria që mbretëron në gjirin e ekipit. Bardhebluve u mbetet t'i fitojnë të tria ndeshjet e mbetura.
Mirel Josa
Me të gjitha gjasat, Mirel Josa mund të marrë drejtimin e bardhebluve për pjesën e mbetur të sezonit. Pas zhgënjimit në Kupën e Shqipërisë dhe dorëheqjes së Kolës, Tirana mund t'i rikthehet pistës "Josa". Burime nga kampi bardheblu theksojnë se Halili ka pasur gjatë ditës së djeshme disa takime me ish-trajnerin Mirel Josa.