E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikt për pronën, vdes nga infarkti në përleshje

 

Etleva Delia

Një konflikt pro-nësie mes familjeve Murati dhe Uka në Tiranë, shkaktoi dje një të vdekur dhe një të plagosur. Përplasjet e nisura prej dy ditësh, dje në mbrëmje, rreth orës 19:30 kanë marrë fund në një përleshje me thika mes dy palëve në konflikt. Ngjarja ka ndodhur tek zona e Bërrylit, vetëm disa metra larg Komisariatit Nr.1, në Tiranë. Pëllumb Murati bashkë me të birin Ledio Murati, kanë shkuar për t'u sqaruar me Kadri Ukën, me të cilin kishin një konflikt pronësie. Në debat e sipër gjendja është acaruar dhe mes tyre janë shkëmbyer fyerje, sharje dhe kërcënime nga më të ndryshmet, deri sa Ledio Murati ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur dy herë 55-vjeçarin Uka. Por ngjarja nuk ka përfunduar me kaq. Teksa tentonte të largonte djalin dhe t'i mbushte mendjen, që të mos e kryente një veprim të tillë, Pëllumb Murati, i cili vuante nga zemra, nuk e ka përballuar dot tronditjen e rëndë dhe ka pësuar infarkt. Edhe pse është transportuar menjëherë drejt spitalit, bashkë me të plagosurin, Murati ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Ndërkohë që 55-vjeçari i plagosur nga djali i të vdekurit i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona, mes tyre edhe të dyshuarin për autorësinë e plagosjes, Ledio Muratin. Fillimisht ai ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, duke vrapuar nëpër rrugicat mes pallateve, por brenda pak minutash është ndaluar nga një patrullë policie. Fillimisht autori nuk ka pranuar autorësinë e krimit dhe mësohet se është marrë në pyetje gjatë gjithë natës. Policia ka sekuestruar edhe thikën, me të cilën dyshohet se është kryer plagosja e 55-vjeçarit Kadri Uka. Ndërkohë është konstatuar se babai i autorit nuk është goditur, por ka ndërruar jetë nga infarkti që i është shkaktuar nga tronditja. Sipas burimeve nga policia mësohet se dhjetëra dëshmi të personave që kanë parë ngjarjen, flasin për një autor të vetëm, i cili tashmë është arrestuar. Nga ekzaminimet e mjekëve ligjorë konfirmohet se i vdekuri Pëllumb Murati nuk ka pasur asnjë dëmtim apo plagë fizike.

Ataku në zemër shkaktoi plagosjen
Sipas disa dëshmitarëve në vendin e ngjarjes mësohet se ataku kardiak nga i cili vdiq Pëllumb Murati mund të ketë qenë shkak për veprimet e kryera nga djali i tij, që qëlloi me thikë kundërshtarin në konflikt. Vdekja e Muratit mësohet se ka ndodhur gjatë sherrit ndërsa menjëherë vdekjes së të atit, i biri ka qëlluar me thikë Kadri Ukën duke e plagosur atë. Burimet spitalore thanë se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi mori ndihmën e parë mjekësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›