Banda e Durrësit, shtyhet seanca e 77-të
Avokatët e të pandehurve në procesin e njohur ndryshe si Banda e Durrësit vazhdojnë të shtyjnë proceset gjyqësore. Dje ka qenë seanca e 77-të që nuk është zhvilluar si pasojë e mungesës së avokatëve. Njëri prej tyre, Riza Hicka, i kishte dërguar trupit gjykues njw letër ku i njoftonte se në të njëjtën orë kishte një gjyq në Gjykatën e Tiranës. Gjykata e Krimeve të Rënda verifikoi kërkesën dhe rezultoi se avokati gënjente. Nisur nga kjo e dhënë, trupi gjykues do i drejtohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë për masë disiplinore ndaj avokatit në fjalë. Një seancë më parë, palët në proces u përfshinë në replika të ndërsjella, kur njëri nga avokatët kishte justifikuar mungesën e tij me një raport mjekësor të lëshuar nga një mjeke pediatre (mjeke fëmijësh). Prokuroria kërkoi zëvendësimin e këtij avokati me një avokat kryesisht, si edhe njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore ndaj avokatëve të tjerë mungues në proces. Dy seanca më parë, kryesuesi i trupit gjykues Gurali Brahimllari bëri me dije në sallën e gjyqit se ky proces po zvarritej në mënyrë të qëllimshme nga avokatët. Të pandehurit po shtyjnë seancat gjyqësore, pasi i druhen pyetjes së të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, Adriatik Coli.