E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho Mulosmani, fillon gjyqi për dy vrasje në Tropojë

Jaho Mulosmani refuzon të marrë pjesë në seancën gjyqësore ndaj tij që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, ku akuzohet për vrasje të dyfishtë. I dënuar me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e deputetit të PD-së Azem Hajdari, Mulosmani duhej të paraqitej dje në seancë për t‘u mbrojtur për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Në seancën e djeshme nuk është paraqitur as avokati i tij i mbrojtjes, duke sjellë shtyrjen e seancës së parë. Dosja e re në ngarkim të Mulosmanit që mban numrin 1179 dhe u depozitua në gjykatën e kryeqytetit javën e fundit të muajit prill. Sipas organit të akuzës, në këtë dosje mbi Mulosmanin rëndon akuza e "vrasjes me paramendim" ndaj dy personave. Ngjarja për të cilën Mulosmani akuzohet ka ndodhur në vitin 1999, ku ai mbante detyrën e shefit të rendit në Komisariatin e Policisë së Tropojës. Një atentat me mina të telekomanduara në fshatin Cërrnicë të Tropojës në 4 gusht të këtij viti përfundon me bilancin dy të vdekur dhe dy të plagosur. Nga atentati mbetet i vrarë Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja, ndërsa plagosen Fatmir Haklaj dhe Fatmir Daka. Vetëm pak orë më pas, në qendër të qytetit të Tropojës vriten nga një breshëri plumbash Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti. Hetimet e atëhershme "etiketuan" Jaho Mulosmanin si autor të ngjarjes. Nga hetimet dyshohej se Mulosmani kishte qëlluar mbi viktimat në shenjë hakmarrjeje, pasi i bënte përgjegjës të afërmit e Hykës për vrasjen e Haklajt dhe Kërrnajës. Ndërsa në vitin 2001, ai u prangos për pjesëmarrje në vrasjen e ish-deputetit Hajdari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›