Vendim për normën bazë të interesit
Banka e Shqipërisë do të diskutojë javën që vjen mundësinë për ndryshimin ose jo të normës bazë të interesit. Deri tani nuk ka zëra për një ulje tjetër të normës bazë, që aktualisht është 5.75 për qind, por BSH-ja do të shikojë ndikimet që kanë dhënë në ekonomi ndryshimi i vendosur pak muaj më parë. Vendimi pritet të merret nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, të mërkurën e ardhshme, ku në plan të parë do të jetë edhe miratimi i raportit mujor i Politikës Monetare për muajin prill 2009. Burime zyrtare pranë bankës bëjnë të ditur se në rend të ditës do të jetë edhe projektrregullorja "Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave e degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre"; projektudhëzimi "Mbi rregullat e brendshëm të funksionimit të regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë", si dhe projekti "Për dhënien e miratimit paraprak për rritjen e përqindjes të pjesëmarrjes influencuese të Bankës Islamike për Zhvillim në kapitalin aksioner të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë sh.a.". Në tre muajt e parë të vitit, BSH-ja ka kryer inspektime rrënjësore te bankat e nivelit të dytë, rezultatet e së cilës do të publikohen javën tjetër nga BSH-ja. Konkretisht bëhet fjalë për informacionin "Mbi inspektimet e kryera në banka, nga Departamenti i Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008". Të tjera vendime lidhen me raportin "Mbi veprimtarinë e auditit të brendshëm në tremujorin e parë të vitit 2009" dhe informacioni "Mbi pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për muajin prill 2009".