E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli vendos, rihapet gjyqi për vrasjen e Mirit të Xhikes

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka kthyer për rigjykim Lavdërim Tufën, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si Miri Xhikes, Julian Durishtit dhe Kristaq Camit, në Lundër të Tiranës, më 29 mars 2003. Gjatë shqyrtimit gjyqësor janë gjetur parregullsi procedurale dhe kompetence në vendimin e shkallës së parë, duke rihapur një nga vrasjet më të bujshme në Shqipëri. Vendimi është dhënë dje dhe është i zbatueshëm për gjykatat e ulëta. Sipas Gjykatës së Apelit, Lavdërim Tufa nuk duhet të ishte gjykuar nga Krimet e Rënda, por nga Gjykata e Tiranës, sikurse do të ndodhë tashmë me rihapjen e procesit, ku prova kryesore e prokurorisë ishte ADN-ja e një fije floku të gjetur në një maskë afër vendngjarjes. Avokati i Lavdërim Tufës, Basri Mana, i kërkoi Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda lirimin e klientit të tij, duke e konsideruar të pafajshëm. Tufa ishte dënuar nga Krimet e Rënda me burgim të përjetshëm për krimin e trefishtë të ndodhur në "Kartodrom 2000", ndërsa avokati "luftonte" që prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ishin kompetente për hetimin dhe gjykimin e klientit të tij. Avokati tha se Tufa nuk akuzohet për ndonjë vepër penale që është në ligjin "antimafie", ku kompetentë për hetimin janë Krimet e Rënda. Avokati tha se viktimat nga ngjarja nuk gëzojnë asnjë imunitet dhe për këtë arsye nuk duhet të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Më pas tha se, megjithëse ka një dënim mbi shpinë, klienti i tij është i pafajshëm. Pretendimet e avokatit mbrojtës janë marrë në konsideratë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila ka prishur vendimin e shkallës së parë, duke dërguar në Gjykatën e Rrethit gjykimin e Lavdërim Tufës.

Vendimi

Më 10 tetor të vitit 2006 u dha vendimi me burgim të përjetshëm për Lavdërim Tufën. Pas tre vjet hetimesh dhe shqyrtimi gjyqësor, gjykata vendosi të shpalli vendimin, pa praninë e të pandehurit dhe avokatit të tij mbrojtës. Ashtu si edhe prokuroria, gjykata deklaroi fajtor Lavdërim Tufën, për vrasjen e trefishtë te "Kartodrom 2000", por nuk e dha arsyen e kësaj tragjedie. Sipas gjykatës, prova kryesore, me të cilën u deklarua fajtor i vetmi i pandehur që u hetua, është ADN-ja e gjakut, e gjetur në një kapuç të braktisur dhe e përzier me pështymën e Lavdërim Tufës. Bashkëpunëtori i Lavdërim Tufës nuk ishte gjetur. Ishte pikërisht ky i fundit, që braktisi kapuçin, i cili u përdor nga organi i prokurorisë si një prej provave kryesore. Vendimi u lexua nga kryetari i trupit gjykues, Sandër Simoni, ndërkohë që gjatë leximit të vendimit u përmend koha e gjatë që u harxhua për të dëgjuar të pandehurin dhe provat e sjella nga akuza. Nga ana tjetër, Simoni përmendi edhe faktin se që nga shkurti i vitit 2004, kur filloi shqyrtimi gjyqësor, janë bërë përpjekje të shumta nga i pandehuri për t‘i shtyrë sa më shumë seancat. Për gjykatën, provat u grumbulluan që në dhjetor të vitit 2004, atëherë kur ishin thirrur ekspertë ndërkombëtarë për të bërë një interpretim të paanshëm të analizës së ADN-së, kryer në laboratorin shkencor të Romës. Lavdërim Tufa u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm.

Prokuroria

Në datë 2 prill 2003 fillon procedimi penal. Në datë 22 janar 2004 shpallet moskompetenca nga Prokuroria e Tiranës dhe çështja u kalon Krimeve të Rënda. Në datë 9 shkurt 2004 fillon shqyrtimi gjyqësor te Krimet e Rënda, duke kaluar në një maratonë seancash gjyqësore. I pandehuri Lavdërim Tufa akuzohej se kishte vrarë në datë 29 mars 2003 në lokalin e quajtur "Kartodrom 2000" tre persona, Fatmir Ramën, Julian Durishëtin, dhe Kristaq Cani. Ndërkohë që në të njëjtën natë, ai ka plagosur rëndë edhe Flamur Tafajn. Vrasja, sipas gjykatës, është zgjedhur të bëhet në një moment të përshtatshëm, kur personat e vrarë ishin mbledhur për të parë ndeshjen Shqipëri-Rusi. Në të njëjtin ambient ka qenë edhe shtetasi Ylli Kelmendi, shok i ngushtë i Fatmir Ramës, ose i quajtur ndryshe Miri i Xhikes. Vrasja është kryer në orën 20.00. I pandehuri ka kryer krimin në bashkëpunim me një person tjetër. Ndërkohë që personi i dytë, për të cilin tashmë është vërtetuar se ka qenë në vendin e ngjarjes, nuk ka asnjë të dhënë ekzistence. Për të arritur në këtë konkluzion, prokurorisë iu desh të radhiste disa prova të gjendura në vendin e ngjarjes. Janë gjetur dy automatikë, një kapuç ngjyrë blu i gjakosur dhe 16 fishekë e dy predha të qitura nga dy armë tip automatik.

ADN-ja dhe provat në vendngjarje

Prova e ADN-së e bërë në Itali me mostrat e marra në kapuçin, armën dhe krehrin e gjetur pas vrasjes së Fatmir Ramës (Miri i Xhikes), më 29 mars 2003, te "Kartodromi" ka nxjerrë përfundimisht si autor të krimit Lavdërim Tufën. Përveçse materialet erdhën nga Italia me letërporosi, mbi vërtetësinë e tyre foli në seancë gjyqësore edhe ekspertja, specialistja për këtë fushë, Mimoza Haxhihyseni. Ekspertja ka qenë në Itali dhe ka insistuar gjatë përgatitjes së mostrave për materialet e maskës, armës dhe njollat e gjakut. Të gjitha materialet kanë qenë të të njëjtit person. Bëhet fjalë për njollat e gjakut, që mbajnë emrin e Lavdërim Tufës. Specialistja, e cila ka shoqëruar gjithë operacionin e kryerjes së ADN-së sipas gjykatës, tha se janë bërë dy prova me materialet e përgatitura. Në provën e parë rezultoi se elementët gjenetikë kanë qenë të të njëjtit person. Po kështu, në provën e dytë ka rezultuar se ka pasur 14 elementë gjenetikë të njëjtë me ato të Lavdërim Tufës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›