E Diel, 1 Nëntor 2026

“Banda e Durrësit”Vendimi, gjyqi do zhvillohet dy herë në javë

Dështimi i radhës për procesin gjyqësor ndaj "Bandës së Durrësit" ka detyruar trupin gjykues të zhvillojë dy herë në javë procesin gjyqësor. Ky vendim u morr dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila ka pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë për zhvillimin dy herë në javë të seancave, në ngarkim të të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Lulëzim Berisha e Indrit Dokle. Ky vendim erdhi pas dështimeve të shpeshta të seancave gjyqësore shpeshherë, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të të pandehurve në gjykatë, ndërkohë që po aq të shpeshta kanë qenë edhe kërkesat e prokurorëve Martini e Dibra për zhvillim të seancave jo dy herë në javë, por çdo ditë. Por kjo kërkesë është rrëzuar nga trupi gjykues, i cili pranoi kërkesën e djeshme për zhvillim të gjyqit dy herë në javë. Gjithashtu, kjo gjykatë ka kërcënuar avokatët se jo vetëm do i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë me shkresë përcjellëse ku të paraqesë ankesat, por do kërkojë dhe heqje licence për avokatët që bëhen shkak për dështimin e gjyqit. Ky proces ka mbi një vit që çeli shqyrtimin gjyqësor, ndërkohë që me pretekste të ndryshme është duke u shtyrë në fazën e marrjes së dëshmisë në sallën e gjyqit nga i penduari Adriatik Çoli. Me cilësinë e të akuzuarit si anëtarë të “Bandës së Durrësit”, prokuroria ka marrë 16 persona, të cilët akuzohen për disa episode të rënda kriminale, ndër të cilat edhe disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës. Sipas të dhënave të Prokurorisë, në fillimet e saj, në vitin '97, “Banda e Durrësit” drejtohej nga i pandehuri Lulëzim Berisha. Më pas, me kalimin e kohës, anëtarët e saj u përfshinë në konflikte me njëri-tjetrin, duke krijuar grupe rivale. Shumë prej të akuzuarve janë arrestuar në vitet e fundit nga forcat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila për disa vite hetoi çështjen penale ndaj tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›