E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimi; Kosta Braka emërohet në ZRPP, në vend të Gazidedes

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, firmosi dje emërimin e Kosta Barkës në detyrën e nëndrejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP). Një lajm i tillë është bërë i ditur nga burime zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë. Ish-ministri i Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, do të ulet në postin që mbante Bashkim Gazidede, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë nga një sëmundje e rëndë. Kosta Barka u shkarkua nga funksioni i ministrit të Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta me dekret të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili pranoi propozimin e Kryeministrit për largimin dhe zëvendësimin e tij me Anastas Duron. Propozimi për largimin e Barkës nga funksioni i ministrit iu bë Kryeministrit Sali Berisha nga kryesia e Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.

Kërkesa

Bilbil Mema kërkon të paguhet për 3 vjet i papunë

Pas vendimit të gjykatës për rikthim në punë, Bilbil Mema i kërkon sërish kësaj gjykate që të paguhet nga Ministria e Brendshme për vitet që pas fitimit të gjyqit, në bazë të gradës së mban. Si i vetmi me gradën gjeneral në radhët e policisë, Bilbil Mema, ish-drejtor i përgjithshëm i policisë kërkon që të paguhet për tre vjet nga Ministria e Brendshme për rrogën 200 mijë në muaj, pasi jo vetëm që nuk është rikthyer në punë me gradën që mban, por as nuk është paguar duke humbur kështu një shumë të konsiderueshme parash. Mema, i cili është i vetmi në Policinë e Shtetit që mban gradën gjeneral, ka kërkuar të rikthehet në detyrë, por që kësaj grade në Policinë e Shtetit i përgjigjet vetëm detyra e drejtorit të Përgjithshëm në Policinë e Shtetit. Por, i pakthyer në detyrë edhe pas fitimit të gjyqit, Mema shpreson të paktën të përfitojë pagesën për tre vjet me këtë gradë.

Pretenca

Minat me celularë, 37.4 vjet burg për 4 të pandehurit

Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi fajtorë dhe dënoi me 37.4 vjet burg katër të pandehurit e akuzuar për “trafikim të armëve, lëndëve plasëse”. Të pandehurit, Glerjan Hyseni, për të cilin u kërkuan 12 vjet burg, Shkëlqim Gjoka, për të cilin u kërkuan 11 vjet burg, Adrian Moçka, për të cilin u kërkuan 10 vjet burg dhe Hysen Hyka, për të cilin u kërkua 4 vjet e 4 muaj, akuzohen se në bashkëpunim kanë fabrikuar me qëllim trafikimin mina me celularë. Këto mina prodhoheshin në Durrës dhe më pas u gjendej tregu për t’u shitur. Sipas akuzës, minat me celularë janë prodhuar në mënyrë artizanale. Një fakt i tillë është deklaruar nga katër të pandehurit e arrestuar në kuadër të operacionit "Ciklon 4". Pas kapjes së Glerian Hysenit, Adrian Moçkës, Shkëlqim Gjokës dhe Hysen Hykës, policia deklaroi se 9 bombat me celularë, pistoleta me silenciator dhe arma snajper vinin nga Mali i Zi për t'u shitur në Shqipëri ose jashtë vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›