E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet për 8 të arrestuarit e patentave false, bllokohen mbi 20 dosje

Janë bllokuar dhjetëra dosje për t’iu nënshtruar ekspertizës së Laboratorit Shkencor të Kriminalistikës. Bëhet fjalë për mbi 20 dosje për pajisje me leje drejtimi mjetesh (patenta) që mendohet se kanë dokumente të falsifikuara, ndërkohë që edhe të tjera pritet të kalojnë në sitën e kontrollit. Këto të dhëna bëhen të ditura nga burime pranë grupit hetimor, që pohuan se dokumentet e bllokuara do t'i nënshtrohen ekspertizave përkatëse në Laboratorin Qendror Kriminalistik. Po ashtu mësohet se janë sekuestruar nga prokuroria edhe dhjetëra dosje makinash, të cilat mendohet se kanë dokumente doganore të falsifikuara, por që rezultojnë të regjistruara pranë organeve kompetente. Hetimet për çështjen në fjalë, të nisura disa kohë më parë, janë kurorëzuar dy ditë më parë me arrestimin gjatë operacionit policor “Targa e Fundit” të 8 personave, ndërkohë që për 4 prej tyre hetimi vazhdon në gjendje të lirë. Shumë prej të arrestuarve janë punonjës pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë, si dhe pronarë në autoshkollën “Majestik”, ndërkohë që njëri prej tyre ishte polic i Patrullës së Përgjithshme. Sipas Prokurorisë së Tiranës, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprime të kundërligjshme e korruptive në procesin e regjistrimit dhe targimit të automjete, kontrollit teknik, kontrollit fizik, dhënies së lejeve për drejtim automjeti, veprime këto të kryera kundrejt ryshfeteve në shuma të konsiderueshme parash që siguronin nga klientët. Për këta shtetas kishte të paktën katër ditë para ditës së arrestimit që ishte firmosur urdhër-arresti me vendim gjykate, ndërkohë që nesër pritet të shoqërohen në Gjykatën e Tiranës për vlerësim të masës së arrestit para gjyqtares Fida Osmani. Arrestimi i tyre është konsideruar si i paligjshëm nga avokatët, të cilët shprehen paraprakisht se klientët e tyre janë të pafajshëm dhe se ekzekutimi i masës së arrestit katër ditë pas firmosjes nga gjyqtarja është shkelje procedurale. Të arrestuarit janë: Ylli Hasani, komisioner për testimet dhe dhënien e lejeve të drejtimit (patentat); S. Memia, arshiviste te Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor të Tiranës; B. Belli, sekretare në sektorin e regjistrimeve të automjeteve; Daniel Cami, pranues dokumentesh tek kontrolli teknik i automjeteve (kolaudimet), Vladimir Dervishi, instruktor e bashkëpronar i autoshkolës “Majestik”; E. Shano bashkëpronare, F. Kateshi, punonjëse e një kompanie sigurimesh për automjetet; Adrian Rushiti, Liman Doka dhe Sh. Marashi, sekserë dhe falsifikatorë. Në pranga ka rënë edhe Pëllumb Mancilla, oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës.

Detaj

Dyshohen se kanë kryer veprime të kundërligjshme e korruptive në procesin e regjistrimit dhe targimit të automjete, kontrollit teknik, kontrollit fizik, dhënies së lejeve për drejtim automjeti, veprime këto të kryera kundrejt ryshfeteve në shuma të konsiderueshme parash që siguronin nga klientët

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›