Nis projekti i BE-së për të ndihmuar vendet e Ballkanit në luftën ndaj krimit
Bashkimi Evropian do të nisë projektin ILECU, që ka si synim bashkëpunimin, koordinimin e punës së institucioneve të zbatimit të ligjit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në datat 9 dhe 10 dhjetor 2008 në Vjenë, Austri, nën drejtimin e ministres së Brendshme të Austrisë, Maria Feker, u zhvillua takimi i dytë i tryezës së përbashkët të Projektit ILECU-s (International Law Enforcement Coordination Unit). Delegacioni shqiptar në këtë tryezë kryesohej nga zëvendësministri i Brendshëm, z. Gent Strazimiri, i cili vuri në dukje rëndësinë që ka ky projekt për Ballkanin, duke e afruar atë me vendet e Bashkimit Evropian. Në fjalën e tij, Strazimiri theksoi se “qeveria shqiptare është e gatshme të implementojë projektin ILECU-s, duke vënë në dispozicion të tij ekspertët më të mirë. Implementimi i këtij projekti do të ndihmoje vendet e Ballkanit që të adresojnë më mirë sfidat e të sotmes, të ndërtojnë më mirë të ardhmen e tyre me pikësynimin evropian, por mbi të gjitha të largohen nga armiqësitë konfliktet dhe mentaliteti i së shkuarës”. Bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me policitë homologe e tregojnë edhe rezultatet e punës së policisë, ku disa nga operacionet më të suksesshme janë zhvilluar falë shkëmbimit të informacioneve. Vetëm gjatë këtij viti nga Policia e Shtetit janë realizuar 13 operacione ndërkombëtare në bashkëpunim me prokurorinë dhe autoritetet gjyqësore të vendeve të ndryshme, nga të cilat: 8 me Italinë; 1 me Greqinë; 3 me Gjermaninë; 1 i përbashkët me SHBA dhe Gjermaninë; ku janë arrestuar 19 persona. Ky bashkëpunim i shkëlqyer e tejet rezultativ, nëpërmjet këtij projekti synon të shtrihet edhe më gjerë, duke përfshirë edhe disa struktura të tjera si ato të sistemit gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave etj. Projekti ILECU-s është një iniciativë e BE-së dhe vendet anëtare të këtij projekti janë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Kroacia. Nëpërmjet këtij projekti do të rritet më shumë bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit në luftën kundër krimit të organizuar.