E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Ballkanit në takim

12/12/2008  Operacionet e përbashkëta

TIRANE- Pak kohë më parë në kryeqytetin austriak u zhvillua takimi i dytë i tryezës së përbashkët të Projektit ILECU-s (International Law Enforcement Coordination Unit). Ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Feker, drejtonte projektin, i cili ka si qëllim bashkëpunimin, koordinimin e punës së institucioneve të zbatimit të ligjit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Delegacioni shqiptar në këtë tryezë kryesohej nga zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, i cili vuri në dukje rëndësinë që ka ky projekt për Ballkanin, duke e afruar atë me vendet e Bashkimit Evropian. Në fjalën e tij, Strazimiri theksoi se Qeveria shqiptare është e gatshme të implementojë projektin ILECU-s, duke vënë në dispozicion të tij ekspertët më të mirë. Implementimi i këtij projekti do të ndihmoje vendet e Ballkanit që të adresojnë më mirë sfidat e të sotmes, të ndërtojnë më mirë të ardhmen e tyre me pikësynimin evropian, por mbi të gjitha të largohen nga armiqësitë, konfliktet dhe mentaliteti i së shkuarës. Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me policitë homologe tregojnë edhe rezultatet e punës së policisë, ku disa nga operacionet më të suksesshme janë zhvilluar falë shkëmbimit të informacioneve. Vetëm gjatë këtij viti nga Policia e Shtetit janë realizuar 13 operacione ndërkombëtare në bashkëpunim me Prokurorinë dhe autoritetet gjyqësore të vendeve të ndryshme, nga të cilat 8 me Italinë, 1 me Greqinë, 3 me Gjermaninë, 1 i përbashkët me SHBA dhe Gjermaninë, ku janë arrestuar 19 persona. Ky bashkëpunim i shkëlqyer e tejet rezultativ, nëpërmjet këtij projekti synon të shtrihet edhe më gjerë duke përfshirë edhe disa struktura të tjera si ato të sistemit gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave e të tjerave. Projekti ILECU-s është një iniciativë e BE-së, dhe vendet anëtare të këtij projekti janë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Kroacia. Nëpërmjet këtij projekti do të rritet më shumë bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit në luftën kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›