PS: Qeveria të marrë masa për krizën ekonomike në të cilën ndodhet vendi
Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për efektet që po jep në Shqipëri kriza globale ekonomike. Deputetja socialiste Ermelinda Meksi tha se kriza ekonomike po ndihet të paktën në katër drejtime në Shqipëri. Sipas saj, kanë rënë ndjeshëm të ardhurat që dërgohen nga emigrantët, ka rënë niveli i prodhimit, i eksporteve, si dhe vlera e monedhës vendase. Meksi tha se gjithashtu po rriten çmimet, duke shkaktuar rënien e fuqisë blerëse dhe rënien e nivelit të jetesës. Për këtë arsye, deputetja e Partisë Socialiste kërkoi nga qeveria që jo vetëm të mos fshehë krizën, por të marrë masa konkrete për përballimin e saj. “Partia Socialiste mendon se qeveria në vend të propagandës së arritjeve duhet t'i tregojë opinionit publik me transparencë masat që janë marrë apo duhen marrë, sepse këtu nuk bëhet më fjalë për lojë politike, por për jetë njerëzish dhe familjesh të tëra. Mendojmë që nuk është më koha për euforinë e rritjes ekonomike, por është koha të dëgjohen partnerët tanë ndërkombëtarë si dhe të dëgjohet edhe zëri i vuajtur i qytetarëve, pavarësisht se jemi në periudhën paraelektorale”, - tha Meksi.
21 Shkurt 2009