Ministria e Punës: Do të kalojmë në sitë të gjitha OJF-të
Jonida Tashi
Shërbimet sociale për njerëzit në nevojë do të ofrohen vetëm nga OJF-të e licencuara. Ministri i Punës, Anastas Duro, ka kërkuar dje të identifikohen të gjitha OJF-të që ofrojnë shërbime sociale dhe të mos lejohet asnjë ofrues shërbimi i palicencuar. “Asnjë subjekt nuk mund të ushtrojë aktivitet në një fushë të caktuar pa marrë licencën përkatëse për shërbimin që ofron, aq më pak mund të lejohet kjo në fusha të tilla që kanë të bëjnë me shërbime që u ofrohen njerëzve në nevojë”, - u shpreh ministri Duro. Deklaratën për identifikimin e OJF-ve kreu i Ministrisë së Punës, Anastas Duro, e ka bërë gjatë një turi takimesh e vizitash në Shkodër me qëllim njohjen me situatën në këtë rajon në fusha të tilla si punësimi, varfëria, mbështetja sociale, etj. dhe masat që po ndërmerren për realizmin e objektivave të vitit 2009.
Grupi
Për herë të parë, ministri bëri publik edhe lajmin për ngritjen e grupit ndërministror (me urdhër të kryeministrit) për rishikimin e skemës së ndihmës ekonomike dhe futjen në skemë edhe të kategorive që aktualisht nuk përfitojnë ndihmë. Ministri i njohu strukturat edhe me iniciativën e fundit të kryeministrit për ngritjen e një Grupi Ndërministror pune për rishikimin e skemës së mbështetjes me ndihmë ekonomike të familjeve në nevojë, duke përfshirë në të edhe kategori të veçanta të papërfshira më parë. Duke u ndalur në problemin e menaxhimit të skemës së ndihmës ekonomike, ministri u njoh nga struktura rajonale e shërbimit social me problemet që hasen në menaxhimin e skemës nga njësitë vendore dhe rezultatet e inspektimeve. Kështu, vetëm gjatë vitit të kaluar nga strukturat e Inspektoratit Rajonal të Shkodrës janë identifikuar 522 raste abuzimesh me skemën e ndihmës ekonomike, për të cilat janë rekomanduar masa për administratorët përgjegjës. Sipas strukturave të inspektimit rajonal të ndihmës ekonomike, problem mbetet niveli i ulët i zbatimit të këtyre masave nga njësitë vendore, gjë që ul efektivitetin e inspektimeve dhe lejon vazhdimin e abuzimit me skemën e ndihmës. Më tej, ministri kërkoi nga strukturat rajonale sociale që të bashkëpunojnë me pushtetin vendor për të zbatuar kushtëzimin e ndihmës ekonomike me punë në komunitet, si një mënyrë efikase jo vetëm për të pastruar skemën nga abuzivizmi, por edhe për të dyfishuar të ardhurat për familje.
Prefektët
Prefektët do të kenë një rol të rëndësishëm në rishikimin e skemës së ndihmës ekonomike. Sipas ministrit të Punës, parashikimet ligjore që do ta rrisnin rolin e prefektit në kontrollimin e skemës të ndihmës ekonomike,do të sillnin edhe zbatueshmëri më të mirë të kësaj skeme. Takimin e fundit,ministri e zhvilloi me prefektin Maxhid Cungu, me të cilin diskutoi rreth nismës së kryeministrit për rishikimin e skemës së mbështetjes sociale dhe rolit që pritet të luajë struktura e prefektit në menaxhimin më të mirë të skemës. Po ashtu, ministri diskutoi me prefektin Cungu problematikën e kategorisë së fëmijëve të ngujuar, duke kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e strukturës së prefektit në identifikimin e këtyre fëmijëve dhe kontaktimin me familjet e tyre, duke e informuar se shteti ka ndërmarrë të gjitha masat për ofrimin e shërbimeve brenda të gjitha standardeve të kërkuara. Ministri kërkoi nga strukturat që në vazhdimësi të identifikojnë problemet dhe të propozojnë zgjedhjet e mundshme për t’ia përcjellë strukturës qendrore, me qëllim që paketa që do t’i propozohet Këshillit të Ministrave të jetë sa më e plotë dhe të parashikojë mbështetjen e të gjitha kategorive sociale, edhe të atyre që aktualisht nuk janë përfshirë në skemë.
Përbërja e Grupit Ndërministror
Grupi Ndërministror i Punës do të përbëhet nga përfaqësues të:
Ministrisë së Punës
Ministrisë së Arsimit
Ministrisë së Shëndetësisë
Ministrisë së Brendshme
Ministrisë së Financave
21 Shkurt 2009