E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, Liçi kërkon lirim nga burgu

Rreth një javë më parë, i penduari i bandës së Lushnjës kreu një tjetër kërkesë, që ia drejtoi Gjykatës për Krimet e Rënda, e cila pas shqyrtimit gjyqësor ka shpallur moskompetencën, duke e transferuar në Gjykatën e Tiranës

I penduar i bandës së Lushnjës ka përsëritur kërkesën e tij për lirim me kusht nga burgu, duke e çuar sërish në Gjykatën për Krimet e Rënda. Petrit Liçi, duke riformuluar këtë kërkesë, pasi herën e parë u hodh poshtë për moskompetencë, ka shprehur vullnetin për t‘u liruar nga qelia, pasi sipas tij ka bashkëpunuar me drejtësinë për zbardhjen e krimeve të bandës së Lushnjës. Sipas të dhënave, Petrit Liçi ka bërë kërkesë në Gjykatën për Krimet e Rënda për lirim me kusht. Rreth një javë më parë, i penduari i bandës së Lushnjës kreu një tjetër kërkesë, që ia drejtoi Gjykatës për Krimet e Rënda, e cila pas shqyrtimit gjyqësor ka shpallur moskompetencën, duke e transferuar në Gjykatën e Tiranës, me argumentimin se nuk ishte kompetencë e saj. Pas kësaj mase, Petrit Liçi hoqi dorë nga kërkesa, duke riformuluar dhe duke dorëzuar një kërkesë të dytë, në të cilën argumentohet se i nënshkruari ka ndihmuar drejtësinë në zbardhjen e krimeve të bandës së Lushnjës. Këtë kërkesë Liçi e ka dorëzuar ditët e fundit, ndërkohë që pritet të merret në shqyrtim nga gjykata. Më pas ajo do të japë vendimin e saj, ose do e kalojë për kompetencë në Gjykatën e Tiranës. Një javë më parë, pas shqyrtimit të kërkesës së të penduarit të bandës së Lushnjës, Petrit Liçi për lirim me kusht, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi shpalljen e moskompetencës lëndore të çështjes. Sipas vendimit të togave të zeza, në një seancë që u zhvillua me dyer të mbyllura, u vendos që Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka kompetencë për shqyrtimin e kësaj kërkese për lirimin me kusht, pasi kjo kompetencë i takon Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Pritej që pas vendimit të togave të zeza të Krimeve të Rënda, kërkuesi Petrit Liçi t‘u drejtohet togave të zeza të Gjykatës së Tiranës për lirimin e tij me kusht, duke kërkuar faljen e mbi 15 muajve burg. Por, i penduar i bandës së Lushnjës nuk e ka kryer një veprim të tillë, me motivin se ai kishte ndihmuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda për zbardhjen e dosjes së bandës së Lushnjës dhe nuk kishte shpresë te Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Kërkesa e parë e Liçit u krye disa javë më parë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Si në atë kërkesë, si dhe në kërkesën tjetër, i deklaruari fajtor për dy vrasje dhe një plagosje dhe i dënuar vetëm me shtatë vjet burg, kërkoi që të lirohet me kusht për t‘u kthyer pranë anëtarëve të familjes. Këta të fundit janë nën mbrojtjen e efektivëve të Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë. Mësohet se që nga arrestimi i tij në vitin 2003, i penduari Liçi është mbajtur në vende të sigurisë së lartë dhe është shoqëruar nga forca të shumta të sigurisë, sa herë që është dërguar në gjykatë për të vazhduar seancat gjyqësore të gjykimit të çështjes ndaj tij dhe "shokëve", prej të cilëve disa janë dënuar, si Maksim Çela, Dritan Vila, Erion Cici dhe Enver Boriçi. Ndërkohë, pritet të dalë si dëshmitar kyç në çështjet penale që po zhvillohen pranë togave të zeza të Gjykatës për Krimet e Rënda ndaj Aldo Bares, Enver Dondollakut, Rexhep Ginës, Arben Boriçit, Ilir Stërgut, Afrim Hoxhës, Jorgo Muzakës, Erjon Aliçajt, Erion Cicit. Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, i penduari i bandës së Lushnjës, Petrit Liçi, i cili rrëfeu krimet e kryera në Lushnjë nga ai vetë dhe pjesëtarët e tjerë të bandës së drejtuar nga Aldo Bare, u dënua me 25 vjet burg, por për shkak të bashkëpunimit të tij me drejtësinë, atij iu falën 18 vjet burg, duke e dënuar përfundimisht me 7 vjet heqje lirie. Në vendim thuhet se Petrit Liçi, më 23 dhjetor 1998, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë shtetasin Bledar Haxhia dhe Artan Sulçe, si dhe ka tentuar të vrasë në 27 mars të 2003-shit shtetasin Bardhyl Kurti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›