Punonjësit e konvikteve kalojnë nën varësinë e bashkive
Qeveria ka vendosur që konviktet e nxënësve të shkollave të mesme të transferohen nën administrimin e bashkive. Përpos godinave, edhe 487 punonjësit e tyre tani shkarkohen dhe emërohen nga kryetarët e bashkive ku gjenden këto konvikte dhe jo më nga drejtori i arsimit. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Arsimit. Sipas saj, skema e propozuar nga MASH-i i shërben administrimit më të mirë të konvikteve, rritjes së transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit. Njësitë e pushtetit vendor, në bazë të këtij vendimi janë përgjegjëse dhe do të vendosin vetë për numrin e punonjësve, strukturat analitike, rregullat për marrjen në punë dhe emërimin e tyre. Njëkohësisht bashkitë do të vendosin vetë për skemën e administrimit të konvikteve të sistemit parauniversitar, me synim plotësimin e kushteve të jetesës për nxënësit që vijnë nga shtresat sociale në nevojë, si dhe për ata nxënës të cilët e kanë të pamundur rikthimin në vendbanimin e tyre.