E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia prangos dy shitës droge

Dy persona janë arrestuar nga Antidroga, pasi janë kapur duke tregtuar lëndë narkotike. Operacioni për kapjen e tyre është realizuar në Tiranë, ndërkohë që policia ka sekuestruar edhe drogën e destinuar për shitje. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se nga Seksioni i Luftës Kundër Drogës u realizua kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasit Muhamed Mehdi Manollari, 23 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë dhe Agron Kostaq Shkurtit, 25 vjeç, lindur në Pogradec e banues në Tiranë. "Arrestimi i tyre u krye të enjten rreth orës 14:30, pasi në Rrugën e Kavajës janë kapur në flagrancë duke shitur lëndë narkotike të llojit kanabis", detajoi grupi hetimor i Antidrogës. Sipas të njëjtave burime, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32.9 gramë bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis, shuma prej 16800 lekësh, të përfituara nga shitja e kësaj lënde dhe dy aparate celularë. Sipas policisë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›