E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia, faji i hartuesit të testit dhe vlerësuesve

Letërsia ka kompleksuar të rinjtë që përgatiten për provimet e maturës. "Vjet mbetën në provim qindra vetë dhe po punoj fort për të dalë mirë në këtë lëndë", u shpreh Matilda, nxënëse te "Petro Nini Luarasi". Por rezultatet e dobëta të nxënësve në këtë lëndë kishin disa arsye. Teza ishte shumë e vështirë dhe për më tepër mësuesit nuk u orientuan drejt në korrigjimin e esesë. Faktet u bënë të ditura për "Shqip" nga drejtori i AVA-s, Edmond Lulja.

Në prag të provimeve të Maturës 2008, Lulja shprehet se "mësuesit do të trajnohen për mënyrën se si do të vlerësojnë testet në provimet e maturës. Do të përzgjidhen rreth 15 mësues për çdo lëndë dhe gjatë muajit maj do të bëjnë kurs mbi teorinë dhe praktikën e vlerësimit", tha Lulja. Pyetjes se pse bëhet ky trajnim kur ata janë mësues dhe normalisht edhe vlerësues provimesh, drejtori i AVA-s u shpreh se "për sa i përket lëndës së letërsisë ka probleme në metodologjinë e vlerësimit". Kjo, pasi historikisht provim mature ka qenë një hartim, ndërsa tani që ka hyrë eseja mësuesit kanë mbetur mbrapa. Nuk kanë eksperiencë në mënyrën se si duhet ta vlerësojnë këtë gjini letrare. "Ka nevojë për përmirësim të ndjeshëm në metodologjinë e vlerësimit të esesë", shprehet drejtori i AVA-s, duke shtuar se "metodologjia e përdorur nga mësuesit tanë nuk është në lartësinë e duhur".

Por ky nuk ishte i vetmi problem i konstatuar në Maturën 2007, shembulli i secilës është i domosdoshëm të lançohet në prag të provimeve të Maturës 2008, që zhvillohen në datat 9, 17 qershor dhe 10 korrik. Hartuesi i tezës së provimit vitin që kaloi zgjodhi pyetje relativisht të vështira. I pyetur për këtë çështje drejtori Lulja thotë se "hartimi i testit ka të bëjë me dorën e atij që zgjedh pyetjet përfundimtare", ndërsa shton se "kjo nuk do të thotë se AVA shkarkohet nga përgjegjësitë, por për këtë çështje përgjegjësia kryesore është e personave sekret që hartojnë tezat". Çdo vit mbyllen në AVA disa persona që hartojnë tezat e provimeve. Çdo test hartohet nga një person, pasi siç e dimë testet janë sipas llojit të shkollës së mesme. Ndaj për gjimnazet ka një test të ndryshëm nga ai i shkollave profesionale që hartohen nga persona të ndryshëm. Periudha e hartimit të testit quhet koha e KOEPS-it dhe personi sekret ka në dispozicion një fond prej 300 pyetjesh për të zgjedhur 30 përfundimtaret e testit. Për sa u përket korrigjuesve, drejtoritë arsimore kanë bërë propozimet me emrat e mësuesve. Ata që do të shërbejnë si vlerësues në provimet e maturës janë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Fieri. "Për çdo profil kanë evidentuar listën me mësuesit më të mirë dhe ne jemi në fazën që po bëjmë intervista me këta persona". Kështu u shpreh drejtori i AVA-s, Lulja, teksa shpjegon masat që janë marrë për eliminimin e problemeve që lindin nga korrigjimi i testeve të maturës. Ai tha se "brenda majit do të kemi të fiksuar listën e mësuesve që do të punojnë si korrigjues dhe më pas do të nisim trajnimin intensiv për ta". Sipas tij, trajnimi do të ketë disa leksione mbi teorinë e vlerësimit dhe më pas do të bëhet punë praktike me vlerësimin e testeve të viteve të mëparshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›