Zëvendësimi; Dorëheqja e Shtyllës, prokurori i çështjes “Hajdari” drejton hetimet e “Gërdecit”
Largohet nga hetimi për “Gërdecin” Zamir Shtylla, emërohet drejtues Sokol Stojani, prokurori i dosjes “Hajdari”. Kryeprokurorja Ina Rama ka pranuar dorëheqjen e Zamir Shtyllës nga dy funksionet që mbante, duke emëruar si drejtues hetimesh një tjetër prokuror që është marrë që në fillim me këtë çështje. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës. Sipas të njëjtave burime, Ina Rama e ka nënshkruar vendimin në orët e pasdites së djeshme. Në vend të Shtyllës është emëruar Sokol Stojani. Ky i fundit do të jetë dhe drejtues i grupit të hetimit për çështjen e Gërdecit. Shtylla paraqiti dorëheqjen dy ditë më parë, ndërkohë që sot është bërë zyrtare.