E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e taksistit; Hetuesit, në gjurmët e vrasësve



Hetuesit kanë arritur që të bien në gjurmët e vrasësve të taksistit Ramazan Hyka. Sipas burimeve nga prokuroria, është arritur që të zbulohet identiteti i personave, që eliminuan, duke e qëlluar me plumb pas koke dhe duke e djegur më pas në makinë 50-vjeçarin. Ngjarja ndodhi më datën 8 janar, buzë liqenit të Farkës. Edhe ditën e djeshme ka pasur shumë persona të shoqëruar, nga të cilët janë marrë dëshmitë në lidhje me këtë ngjarje. Të shoqëruarit mësohet se kanë qenë kryesisht persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por ka pasur edhe të dyshuar konkretë për krimin makabër. Hetuesit po hetojnë në disa pista, ku kryesorja është ajo e përfshirjes së viktimës në pazare me femra. Megjithatë, nuk përjashtohet se Hyka është vrarë për shkak të një grabitjeje të momentit ose për drogë. Babai i dy fëmijëve u zhduk mbrëmjen e 7 janarit, rreth orës 20:00, kur ai i kishte telefonuar së shoqes duke i thënë se po çonte një porosi në Farkë, në lindje të Tiranës.

Hyka u gjet i vrarë me armë zjarri dhe i djegur në makinën e tij. Trupi i 50-vjeçarit u gjet në mbrëmjen e ditës së enjte, ndërsa sipas burimeve nga policia, ngjarja mendohet se ka ndodhur një ditë më parë. Hyka u gjend në bagazhin e makinës së tij, në një rrugicë shumë pranë liqenit të Farkës. Burime nga policia shprehen se shkaqet e vrasjes janë të paqarta. Kanë qenë kalimtarë të rastit, të cilët kanë parë një makinë të djegur, që kishte përfunduar në liqen. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje. Punonjësit e policisë nuk e kanë dalluar fillimisht viktimën. Më pas, kur ata kanë hapur bagazhin e makinës, kanë parë një trup njeriu të djegur. Autori ose autorët e krimit e kanë lidhur dhe më pas e kanë futur në bagazh, ku i kanë vënë flakën makinës. Sipas burimeve nga policia, viktima Hyka kishte disa kohë që punonte si taksist në kryeqytet. Ai përdorte makinën e tij personale, tip “Mercedes-Benz” dhe ishte i palicencuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›