"Banda e Lushnjës", Pritet dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë
Petrit Lici, bashkëpuntor i drejtësisë, pritet të dëshmojë në procesin e hapur në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të pandehurit e "Bandës së Lushnjes". Konfirmimi është bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila njoftoi sot Gjykatën për thirrjen e Licit për të dëshmuar seancën e ardhëshme, e cila do të zhvillohet pas dy javësh. Dëshmia e Petrit Licit, të penduarit të kësaj bande, cilësohet si tepër e rëndësishme në procesin ndaj "Bandës së Lushnjes", në funksion të zbardhjes së ngjarjeve kriminale për të cilat akuzohen të pandehurit e saj. Me cilësinë e të akuzuarit në këtë proçes, janë shtetasit: Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje, të ndodhura vite më parë në Lushnje. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Aldo Bare, i cili po ashtu është në proçes gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë.
...