Në njësinë bashkiake Nr. 10 kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike mbi 6900 banorë

Mbi 6900 banorë të njësisë Bashkiake nr.10 në kryeqytet kanë aplikuar deri tani për letërnjoftimin elektronik, 600 prej të cilëve janë shtetas pa pasaportë, nga 2006 të tillë që ka kjo njësi. Burime të zyrës së gjendjes civile në këtë njësi, thanë se proçesi i aplikimit po ecën normalisht, ndërkohë që nuk ka asnjë dublikim në Regjistrin Kombëtar të Shtetasve. Edhe pse janë shmangur radhët e gjata të shtetasve për të aplikuar, pas vendimit të Qeverisë për heqjen e sanksioneve për ata persona që disponojnë një mjet të vlefshëm për votim dhe që nuk kanë aplikuar, banorët e kësaj njësie ende shprehin interes për t’u pajisur me këtë dokument. Sipas burimeve të mësipërme, krahas proçesit të aplikimit po vazhdon edhe shpërndarja e letërnjoftimeve elektronike. Deri tani janë shpërndarë mbi 2150 letërnjoftime elektronike. Njësia bashkiake nr. 10 numëron 30 mijë banorë. Procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike filloi në 12 janar të këtij viti.
...