FPU fillon turneun e Paqes Universale në Shqipëri me temë “Të jetosh për hir të të tjerëve për të forcuar solidaritetin njerëzor”

Federata e Paqes Universale organizoi sot në kuadër të Turneut të Paqes Universale në Shqipëri, konferencën me temë "Të jetosh për hir të tjerëve për të forcuar solidaritetin njerëzor". Ky turne ka filluar që më datën 15 shkurt në disa vende të botës dhe do të vazhdojë edhe më tej duke promovuar paqen në 194 vende. Anëtari i Bordit drejtues të Federatës Universale të Paqes në botë dhe përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Gaqo Apostoli, u shpreh se "kjo federatë është një aleancë e liderve politikë, akademikë dhe fetarë, të kulturës, të artit dhe të medias në mbarë botën dhe bazohet mbi veprimtarinë e ambasadorëve për Paqen, është një titull ose çertifikim i njerëzve që kontribojnë në këtë drejtim, duke patur në filozofinë e saj ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në nivel botëror, ku rolin kryesor e luan familja si qeliza natyrale e shoqërisë". Apostoli vuri në dukje se "kjo është një konferencë për lidershipin dhe qeverisjen e mirë dhe bazohet në një parim themelor, ''të jetosh për hir të të tjerëve'', i cili vjen nga profetët, por ne e kthejmë në një truall edhe më njerëzor, ku secili duhet të sakrifikojë sadopak edhe për hir të të tjerëve". Sipas tij, "kjo injekton një shpirt të madh solidariteti, aq më tepër shoqëria shqiptare e ka të domosdoshme një solidaritet të tillë", duke shtuar se "sot jemi në prag të një dite vere, festa e gëzimit, e jetës, por një ditë më pas, më 15 mars, është një përkujtim i dhimbshëm si përkujtimi i tragjedisë së Gërdecit , dhe unë mendoj se ne si popull, por edhe të tërë kombet duhet të jenë bashkë si në ditë gëzimi, ashtu edhe në ditë hidhërimi''.
...