Shqipëria dhe Serbia angazhohen për rritjen e bashkëpinimit ekonomik mes tyre
Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Gjokë Uldedaj dhe homologu i tij serb, Milos Bugarin, gjatë një takimi zhvilluar sot në Tiranë, u angazhuan për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis dy vendeve, veçanërisht në kushtet e krizës globale në rajonin e Ballkanit. Sipas z.Udedaj, "vendet tona mund t'i shmangin efektet e krizës nëpërmjet projekteve dhe planeve të përbashkëta". Ndërsa sipas përfaqësuesit të lartë të biznesit serb, "dy vendet tona duhet të ecin në fushën e bashkëpunimit ekonomik e të kenë marrëdhënie të mira edhe në të ardhmen në këtë aspekt". Presidenti i Dhomës së Tregtisë të Serbisë, Bugarin, tha se shkëmbimi tregtar midis dy vendeve ende nuk është në kapacitetin e tij të plotë, pasi për vitin 2008 import-eksportet llogariten 90 milionë dollarë. Ai tha se gjatë këtij viti do të synojmë që nivelin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve t'a çojmë në 200 milionë dollarë. Bugarin deklaroi se "duhet të shfrytëzojmë edhe pozitën gjeografike të dy vendeve, për të bërë jo projekte të vogla, por për të realizuar projekte të mëdha, siç janë ato në fushën energjetike". Gjatë takimit u vendos edhe pjesëmarrja e vendit tonë në një forum biznesi që do të zhvillohet në Beograd në datën 24 mars. Përfaqësuesit e biznesit serb morën pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme Ballkanike të Biznesit, që u zhvillua një ditë më parë në Tiranë.
...